KMDLNJ- Politikanëve: Mos përdorni fjalor akuzues ndaj të arrestuarve

KMDLNJ- Politikanëve: Mos përdorni fjalor akuzues ndaj të arrestuarve

Këshilli për Mbrojtjen, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut ka vizituar katër nga gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, me 4 gusht.

Ky këshill përmes një raporti të shkurtër ka kërkuar nga politikanët që mos të përdorin fjalor akuzues dhe deklarata nxitëse të cilat mund të ndikojnë në tensionimin e situatës.

Sipas KMDLNJ duhet të pritet rezultati i hetimeve dhe vendimi eventual i gjykatës.

“Është një praktikë shumë e keqe kur akuza të pabazuara shkatërrojnë reputacionin e të arrestuarit, familjes apo subjektit politik që i takon e pastaj, kryesisht pas ndalimit policor 48 orësh janë liruar si të pafajshëm dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për akuzat e pabazuara apo linçimin publik’, shkruan në njoftimin e KMDLNJ-së.

KMDLNj thekson se do të vazhdojë të përcjellë gjendjen e të arrestuarve të Vetëvendosjes dhe të gjithë atyre që konsideron se u shkelen të drejtat e njeriut e që është mandati monitorues të tyre. /Insajderi.com