KMDLNJ: Lini fjalët e rënda, zbatojeni mandatin e dhënë nga votuesi

KMDLNJ: Lini fjalët e rënda, zbatojeni mandatin e dhënë nga votuesi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka vlerësuar se politikanët si mjet për arritjen e qëllimeve politike, po e përdorin një fjalor skajshmërish fyes, duke mos kursyer as familjet apo familjarët që nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimet politike.

KMDLNJ u ka kërkuar përfaqësuesve politik, që t’i lënë fjalët e rënda fyese, por zbatojnë mandatin e dhënë nga votuesi.

“Politikanët , si mjet për arritjen e qëllimeve politike po e përdorin një fjalor skajshmërisht fyes duke mos kursyer as familjet apo familjarët që nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimet politike. Fyerjet janë në baza etnike , gjinore por edhe raciste kur dikush sulmohet për faktin se e ka nënën të një përkatësie tjetër etnike . Apo , për shkak të së kaluarës së babait , i biri akuzohet duke u cilësuar si tradhtar. Edhe në rastin e parë por edhe në të dytin kërkesat janë që fëmijët të distancohen nga prindërit e tyre gjë që nuk është , as normale e as e drejtë”.

“Këto akuza po përdoren dhe keqpërdoren për qëllime politike duke u përdorur si mjet për mundjen e kundërshtarit politik. Fyerjet ndaj femrave që merren me politikë apo që kanë lidhje me politikën kanë mbërri shkallën e së padurueshmes dhe që është në kundërshtim të plotë me kodeksin njerëzorë , moral dhe tradicional . Fyerjet dhe akuzat tani janë përqendruar në një terren krejt tjetër e që do të duhej të ishte përgjegjësi e policisë , prokurorisë dhe gjyqësorit , në atë të korrupsionit dhe vrasjeve me prapavijë politike dhe etnike”, thuhet në komunikatën.

KMDLNj më tutje ka bërë thirrje të gjitha subjektet politike që t’i ulin armët (shpifjet dhe gjuhën e urrejtjes) dhe ta zbatojnë në praktikë mandatin që e kanë fituar nga qytetari , formimin dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës në të kundërtën të merren vesh dhe të shkojnë në zgjedhje të reja.

“KMDLNj u bënë thirrje të gjitha subjekteve politike të marrin pjesë në seancën e ftuar nga z. Mikullovci dhe të jenë bashkëpunues në ndërtimin e institucioneve për të mirën e qytetarëve të Kosovës në të kundërtën propozon që deputetët e Kuvendit të mos kompensohen materialisht për aq kohë sa Kuvendi të jetë jofunksional”, thuhet në këtë komunikatë dërguar medieve.