KMDLNJ kërkon zhbllokim të situatës ose zgjedhje të jashtëzakonshme

23.08.2017 14:49
KMDLNJ kërkon zhbllokim të situatës ose zgjedhje të jashtëzakonshme

KMDLNJ përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të zhbllokojnë situatën e krijuar për krijimin e institucioneve të vendit, në të kundërtën propozon shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Duke përkujtuar se raporti i forcave parlamentare është baras 60 me 60 dhe kur asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, KMDLNJ konstaton se është krijuar ngërç politik, ndërkohë që sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese e vitit 2014, në mënyrë eksplicite thuhet se koalicioni parazgjedhor fitues apo subjekti fitues e ka të drejtën e vetme të propozojë kryetarin e Kuvendit.

KMDLNJ thekson se mospjesëmarrja në seancat konstituive janë të papranueshme, pasi që ato e dëmtojnë rëndë interesin e qytetarëve, andaj u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive më 24 gusht, në mënyrë që të përmbushin detyrimin kushtetues.

“Zhbllokimi duhet të bëhet me një marrëveshje politike, pavarësisht se kush do të jenë palë të marrëveshjes. Koalicionit PAN, si fitues i zgjedhjeve të fundit i takon kryetari i Kuvendit dhe përpjekja e parë për formimin e qeverisë e që nuk nënkupton që procesi mund të zvarritet deri në pafundësi sikur që LV dhe LAA duhet ta kenë të qartë se nuk mund të bëhet asnjë veprim drejt formimit të qeverisë pa u zgjedhur organet drejtuese të Kuvendit dhe nuk kanë asnjë të drejtë që duke përdorur shantazhin si mjet politik të pengojnë zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit duke bllokuar proceset tjera”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër KMDLNJ konsideron se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duhet t’u japë një afat kohor jo më shumë se një javë që të arrihet një pajtim për formimin e institucioneve, në të kundërtën duhet ta shpërndajë Kuvendin duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme .

“Disa subjekte politike, ngërçin politik që vetë e kanë krijuar po e keqpërdorin për të provokuar zgjedhje të reja . Është përgjegjësi kushtetuese e presidentit të Kosovës ta ndërpresë këtë lojë të pandershme të subjekteve politike duke ofruar zgjidhje”, thuhet më tej në komunikatë.

KMDLNJ kërkon gjithashtu që pas formimit të institucioneve funksionale, të rishqyrtohen të gjitha emërimet dhe shkarkimet në poste ekzekutive apo pozita tjera të larta, pasi që është favorizuar “kualifikimi” politik dhe është dhunuar profesionalizmi që do të duhej të ishte kriteri themelor për emërime apo shkarkime.

KMDLNJ u bën thirrje deputetëve të Kosovës të kontribuojnë në zhbllokimin e situatës dhe funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve, në të kundërtën do ta bartin përgjegjësinë për bllokimin institucional.