KMDLNj: Apostolova po përzihet në punët e Gjykatës Kushtetuese

KMDLNj: Apostolova po përzihet në punët e Gjykatës Kushtetuese

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj deklaratës së shefes së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, e cila kërkonte që Kosova të themeloi sa më parë Asociacionin e Komunave të Kosovës, nëpërmjet një procesi të përshpejtuar duke anashkaluar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate për media, KMDLNj thotë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovën është bërë një kërkesë e përbashkët e Serbisë dhe BE – së të cilat duan që ky proces të përmbyllet me një procedurë të përshpejtuar përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur 24 shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe ka rekomanduar të mënjanohen këto shkelje.

“Serbët e instrumentalizuar nga Beogradi po kërkojnë që ky Asociacion i Komunave serbe, Asociacion i formuar sipas parimit ekskluzivisht etnik të formohet sa më shpejtë duke këmbëngulur që kjo të bëhet sipas Marrëveshjes së Brukselit e jo sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Beogradi as që dojë të dëgjojë për vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Asociacionin  e Komunave serbe por duket as ndërkombëtarët”, konsideron KMDLNj.

Sipas KMDLNj-së, insistimi i Apostolovës për rishikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit është ndërhyrje flagrante në Gjykatën Kushtetuese.

“Insistimi i zonjës Apostolova për rishikim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave serbe është ndërhyrje flagrante në Gjykatën Kushtetuese dhe si e tillë është e papranueshme dhe paraqet presedan shumë të rrezikshëm që bënë përpjekje që Gjykatën Kushtetuese ta shndërrojë në një mekanizëm për zbatimin e projekteve të dëmshme politike për Kosovën në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën të cilën duhet ta mbrojë Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e KMDLNj.

KMDLNj, konsideron se krijimi i Asociacioni vetëm nëse formohet në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ligjeve të Kosovës mund të vazhdohet me themelimin e saj.

“Ndryshe, nëse zbatohet Marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit në kundërshtim me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ligjeve të Kosovës, për çka duket se po angazhohet edhe zonja Apostolova si Shefe e Zyrës së BE – së në Kosovë e cila po kërkon rishikimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë, pa dyshim po e lejojmë themelimin e një entiteti politik dhe etnik serb brenda Kosovës në vartësi të Beogradit e që do të jetë shumë më i rrezikshëm dhe më i dëmshëm se Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së./Insajderi.com