Klubi italian, plan për rikthimin e Canës në Serie A

Lorik Cana nuk ka vendosur ende kur dhe ku do ta vazhdojë karrierën e tij futbollistike pas pushimit të gjatë që ai ka filluar që nga mbyllja e Euro 2016. Por ish-kapitenit të përfaqësueses shqiptare nuk i mungojnë ofertat, edhe nga klube me emër të cilat luajnë në kampionate të forta.

Klubi italian, plan për rikthimin e Canës në Serie A

Sipas mediave italiane, ndonëse lojtari ka disa muaj larg fushave të blerta, për të ka filluar të interesohet konkretisht një skuadër e Serisë A, në të cilën ai mund të gjejë disa bashkëkombës të tij.

Bëhet fjalë për Pescaran, klub i cili ka probleme në prapavijë për shkak dëmtimesh të ndryshme e si rrjedhojë i duhen sa më parë përforcime për të përballuar këtë sezon, pa pritur merkaton e janarit. Për këtë arsye, po vëzhgohet me interes tregu i lojtarëve me parametër zero.

Klubit i janë ofruar disa lojtarë nga menaxherë të ndryshëm, mes të cilëve Diakite dhe Sol Bamba. Por drejtuesit i tërheq ideja që të afrojnë Canën, një lojtar me shumë eksperiencë, të cilit mund t’i ofrohet mundësia për një eksperiencë të fundit në futbollin e rëndësishëm.

Zërat për mbrojtësin shqiptar dhe interesimin e Pescara-s u përhapën që në fillimin e këtij muaji. Por fakti që ato janë kthyer në ditën e fundit, mund të jetë një sinjal se diçka po lëviz drejt një marrëveshje të mundshme.

Informacionet për Canën te Pescara nuk mungojnë, pasi në radhët e kësaj skuadre ka disa shqiptarë, duke filluar nga kapiteni Ledian Memushaj, për të vazhduar me Rei Manajn e të riun Leonardo Maloku.

Megjithatë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Cana, i cili gjatë javëve të kaluara ka refuzuar disa oferta nga klube franceze apo zvicerane. Ai ka lënë të kuptohet se dëshiron të kthehet përsëri në futbollin e luajtur, por mendohet se do të zgjedhë të mbyllë karrierën në një prej kampionateve aziatikë apo në SHBA. /Insajderi.com