Klose i thotë “jo” kthimit në Bundesligë

Klose i thotë “jo” kthimit në Bundesligë

Pas largimit nga kombëtarja gjermane si kampion bote në vitin 2014, për Miroslav Klosen edhe Bundesliga është histori.

Pavarësisht spekulimeve dhe mundësive, “Ujku” i ka thënë “jo” rikthimit në Gjermani. Përgjigjen e tij legjenda e futbollit gjerman e dha në një intervistë me rastin e miqësores “Kampionë për bamirësi” të organizuar në nder të Michael Schumacherit.

“Nuk rikthehem në Bundesligë. E shoh si të vështirë për mua”, – u shpreh 38-vjeçari me sinqeritet.

Që pas largimit nga skuadra e Lazios, aty ku luajti në pesë vitet e fundit, Klose nuk ka gjetur klub.

Kaiserslauterni, skuadra ku sulmuesi nisi karrierën si profesionist, ka shprehur interes për të firmosur me të. Gjithashtu, është spekuluar se Klose mund të rikthehej në Bremen, aty ai luajti nga viti 2004 deri në vitin 2007, por as kjo nuk do të ndodhë.

Megjithatë, refuzimi për Bundesligën nuk do të thotë largim përfundimtar nga futbolli. “Së shpejti do të marr një vendim. Ka shumë dyer të hapura. Shohim”, – përfundoi gjermani. /Telesport.al