Kjo është oferta që Shpend Ahmeti ia ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje për bashkqeverisje

05.06.2018 17:18
Kjo është oferta që Shpend Ahmeti ia ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje për bashkqeverisje

Pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i tanishëm i Komunës së Prishtinës njëherësh edhe kryetar i PSD-së, Shpend Ahmeti është përballur me probleme të funksionimit të qeverisjes në Prishtinë.

Madje kjo ishte reflektuar edhe në asamblenë Komunale të Prishtinës. Ahmeti këto ditë akuzoi Vetëvendosjen që është bashkuar me PDK-në e LDK-në për të mundësuar mosfunksionimin e Kuvendit Komunal.

Pavarësisht kësaj, Ahmeti ka vendosur që t’i dorëzojë ofertën finale ish-subjektit të tij politik Vetëvendosjes, për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Në ofertën të cilën e ka bërë publike zëdhënësi i tij, Adonis Tahiri, Ahmeti i ofron VV-së katër drejtori, duke i ofruar mundësinë e zgjedhjes së drejtorisë së katërt në mes të drejtorisë së Shërbimeve Publike ose drejtorisë së Administratës, të cilën e udhëheq drejtori Muhedin Nushi.

“Po ju shkruaj në lidhje me diskutimet që kemi pasur për koalicionin në Prishtinë. Kërkoj falje për vonesë, por këto ditë edhe kam përcjellë edhe frymën e përgjithshme që ka mbizotëruar në relacionin PSD-VV me theks të veçantë edhe në ngjarjet e fundit në Kuvend Komunal. Po ashtu kam pas diskutime të gjëra edhe me subjektin të cilin tashmë e drejtoj dhe po ashtu me partnerët e koalicionit.

Përkundër ngjarjeve të fundit, unë jam i interesuar edhe më tutje që ky koalicion të funksionojë”, thuhet në ofertën e Ahmetit dërguar VV-së.

Ahmeti në ofertën e tij ka theksuar se marrja e drejtorisë së Administratës do të ndodh kur Muhedin Nushi të emërohet në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, i cili sipas Ahmetit nuk i takon asnjë partie politike.

Në rast të arritjes së marrëveshjes në mes PSD-së dhe VV-së për bashkëqeverisje atëherë ndarja e drejtorive në Komunën e Prishtinës do të jetë si vijon: ” PSD – 3 drejtori, AKR – 3 drejtori, AAK – 3 drejtori, LB – 1 drejtori, Alternativa – 1 drejtori dhe VV – 4 drejtori”.

Ahmeti në ofertën për VV-në për bashkëqeverisje në Prishtinë, ndarjen e drejtorive e ka konsideruar shpërndarje fer, ku megjithatë VV ka numrin më të madh të drejtorive.

Adonis Tahiri teksa e ka bërë publike këtë ofertë në Facebook, ka shkruar në gjuhë angleze: Take it or leave it, që në shqip do të thotë: merre ose lëre.