KGjK i propozon presidentit Enver Pecin për kryetar të Gjykatë Supreme

KGjK i propozon presidentit Enver Pecin për kryetar të Gjykatë Supreme

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nën kryesinë e kryesuesit Nehat Idrizi, ku anëtarët e KGjK-së votuan për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Gjyqtari i kësaj Gjykate, Enver Peci mori shumicën e votave, gjashtë për dhe katër kundër. Pas këtij votimi, Këshilli i propozon Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për emërim të kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Pecin.

Enver Peci ishte kryesues i KGjK-së, i cili e drejtoi Këshillin për gjashtë (6) vjet me radhë. Aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Supreme. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1987 deri më 1993 punoi si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Mitrovicë. Nga viti 1993 deri në vitin 2000 punoi si avokat, prej vitit 2000 deri më 2002 punoi si gjyqtar në të njëjtën Gjykatë, më vonë u emërua gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ku punoi deri në vitin 2010. Ndërsa në vitin 2010, Peci u emërua gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, anëtar i Këshillit Gjyqësor dhe kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Detyrën e kryesuesit e dorëzoi më 8 mars 2016. Peci pas emërimit do ta drejtojë Gjykatën Supreme për shtatë (7) vjet me radhë.

Konkurrentë për kryetar të kësaj Gjykate ishin edhe gjyqtarët Valdete Daka, Nesrin Lushta dhe Erdogan Haxhibeqiri.

Gjithashtu, në këtë mbledhje Këshilli miratoi dorëheqjen e drejtorit të Sekretariatit të KGjK-së, Albert Avdiu, nga kjo pozitë.