KFOR: Largimi i trupave nga Kosova në bazë të gjendjes së sigurisë

KFOR: Largimi i trupave nga Kosova në bazë të gjendjes së sigurisë

 

KFOR-i ka hedhur poshtë spekulimet e medias ruse pro Kremlinit, Sputnik, që kishte raportuar se Gjermania, deri në fund të vitit 2018, do të tërheq të gjithë ushtarët e saj nga kontingjenti i KFOR-it në Kosovë.

Përderisa, ditë më parë është raportuar për mbylljen e një kampi ushtarak të KFOR-it, gjegjësisht të trupave gjermane në Prizren, gjë e cila rrjedhimisht ka ngjallur reagime për gjendjen e sigurisë në vend.

KFOR-i përmes një komunikate për media ka thënë se angazhimi i saj që nga viti 1999 po vazhdon në Kosovë dhe si i tillë KFOR-i gjerman mbetët njëri ndër kontribuuesit më të madhej në Kosovë

“Që nga viti 1999, Gjermania ka qenë një kontribuuese e qëndrueshme me trupa në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Ky angazhim vazhdon. Kontingjenti gjerman mbetet kontribuuesi i tretë më i madh në KFOR”, thuhet në deklaratën zëdhënësit të KFOR-it.

Më tej thuhet se “KFOR-i vazhdon aktivitetet e veta për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt dhe për të garantuar liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në përputhje me mandatin e vetë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Më tutje në këtë komunikatë thuhet se çdo vendim rreth pozitës së ardhshme të KFOR-it do të merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut dhe do të mbetet çështje që varet nga gjendja e sigurisë në Kosovë./Insajderi.com