KFOR-i anglez akuzohet se nuk mbrojti serbët e vrarë në Kosovë

Gjykata e Lartë e Londrës ka nisur një proces kundër trupave ushtarake të Anglisë në Kosovë, pasi sipas padisë, ushtarët britanik të KFOR-it kanë dështuar të mbrojnë disa serb të cilët janë vrarë dhe rrëmbyer menjëherë pas luftës, në vitin 1999.

KFOR-i anglez akuzohet se nuk mbrojti serbët e vrarë në Kosovë

Siç raporton “The Guardian”, të vejat e dy burrave, të vrarë në korrik të vitit 1999, dhe një e ve e një kirurgu të shquar i cili është rrëmbyer dhe më pas zhdukur, kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes në Angli, duke pretenduar se u janë shkelur të drejtat e njeriut.

Vrasja dhe rrëmbimi kishin ndodhur në një zonë ku trupat britanike ishin përgjegjës për sigurinë e popullatës, raporton Insajderi.

Sipas avokatit të palëve, Krisy Brimelow, KFOR-i britanik përpos që nuk ka mbrojtur popullatën, gjithashtu nuk ka hetuar në mënyrë adekuate krimet e ndodhura në zonën ku ata kanë qenë përgjegjës.

Zoran Kontiç, menaxher i një termocentrali, i cili ishte duke dhënë ekspertizën e tij për trupat britanike, ishte goditur me thikë duke mbetur i vdekur pranë një baze të ushtrisë britanike në Prishtinë.

Trupat e Dimitrije Milenkoviç, i cili sipas avokatëve ndihmoi për të mbrojtur aeroportin, dhe djali i tij, Aleksandar, pretendohet të jenë zbuluar nga ushtarët britanik. Ndërsa doktori, Andrija Tomanoviç, profesor në shkollën e mjekësisë në Prishtinë, edhe pse i ruajtur nga trupat britanike, ishte rrëmbyer në korrik të vitit 1999.

Por avokati i Ministrisë së Mbrojtjes në Mbretëri të Bashkuar, ka paraqitur në gjykatë, faktet se trupat britanike kanë qenë pjesë e një forcë ndërkombëtare që ka vepruar nën mandatin e OKB-së, raporton Insajderi.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me KFOR-in duhet drejtuar ndonjë gjykatë tjetër, sepse kjo del jashtë juridiksionit të gjykatës evropiane.

Por, autoritetet britanike të ushtrisë thanë se nuk e përjashtojnë faktin se OKB-ja të mos ketë pasur kontroll efektiv mbi forcat paqeruajtëse në Kosovë, megjithatë Mbretëria e Bashkuar ka ruajtur kontrollin mbi trupat e saja në operacionet policore.

Rasti, siç raporton, The Guardian, pritet të zgjasë së paku tre ditë. /Insajderi.com