Këshilltari i Thaçit i kundërpërgjigjet Shpend Ahmetit

Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, Ismail Syla ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili kritikoi qasjen e ish-kryetarit të PDK-së ndaj objektit kishtar në kampusin universitar të Prishtinës.

Këshilltari i Thaçit i kundërpërgjigjet Shpend Ahmetit

Syla, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është i njohur fakti që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në vend që të punojë nga zyra në të mirë të qytetarëve, gjithmonë iu bashkohet protestave, dhunës dhe kaosit, që sipas tij bëjnë pjesëtarët aktivë të dhunshëm të Vetëvendosjes.

“Deri dje mbrojti çdo veprim të gazit lotsjellës, të bombardimit të Parlamentit me “zolla”, të nxjerrjes me dhunë të qytetarëve nga vetura, të përleshjeve me Policinë e Kosovës, duke kontribuar në rrënimin e kryeqytetit, e sot u bë zëdhënës i një grupi të vogël studentësh që “trimërisht” ia mësynë kishës serbe në Kampusin e UP”, thuhet në postimin e Sylës.

Ai më tej shkruan se Shpendi më me qejf thumbon postimet e presidentit të Kosovës, i cili sipas tij me të drejtë prononcohet kundër veprimeve vandale dhe harron se kështu po i  përkrahë veprimet e zollaxhinjve.

“Atyre që kërcënojnë sigurinë familjare të drejtorit të RTK-së, atyre që në emër të bindjeve politike nga Skandinavia deri në Greqi Kosovën e kanë identifikuar si vend ku hidhet gazi lotsjellës dhe ku Parlamenti goditet me zollë”, tha Syla. /Insajderi.com