Këshilltari i kryeministrit akuzon VV-në: Ju paskeni edhe jahte

25.03.2017 22:29
Këshilltari i kryeministrit akuzon VV-në: Ju paskeni edhe jahte

Sokol Havolli, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ka ironizuar me Lëvizjen Vetëvendosje pas raportimeve se kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është parë në një jaht në Mal të Zi.

“Ju paskeni edhe jahta?”, pyet Havolli, teksa ironizon me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kryetarin e Prishtinës.

“Albin Kurti nifar vakti thojke: ‘Ata kane xhipa, ne duam trotuare.’ Albin, ju paskeni edhe jahta?”, shkroi Havolli në Facebook.

Gazeta Metro ka siguruar një foto në të cilën shihet kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në një jaht, që siç raporton Gazeta Metro ndodhet në Mal të Zi.

Sipas raportimeve të këtij mediumi, Ahmeti të premtën pasi kishte ndjekur ndeshjen Kosovë-Islandë, kishte udhëtuar për në Budva të Malit të Zi.

I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, zyrtari për medie i Lëvizjes Vetëvendosje Shkodran Hoti ka thënë se nuk posedon informacion për këtë rast.

“Thënë të drejtën nuk kam shumë informacion për këtë”, ka thënë Hoti. /Insajderi.com