Këshilli Sigurimit diskuton për zhvillimet tremujore në Kosovë

Këshilli Sigurimit diskuton për zhvillimet tremujore në Kosovë

Seanca e sotme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit do të diskutojë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm që përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 tetori i vitit të kaluar deri më 15 janar të këtij viti.

Raporti i Sekretari Ban ki Moon, megjithëse nuk përfshin zhvillimet nga gjysma e janarit dhe shkurti i këtij viti, ai është mjaft kritik ndaj partive opozitare duke i akuzuar drejtpërdrejt për dhunë në rrugë dhe në Kuvendin e Kosovës, raporton RTK.

Kosovën edhe kësaj radhe do ta përfaqësojë ambasadorja në ShBA, Vlora Çitaku, një vendim i Qeverisë që të ulë nivelin e përfaqësimit edhe për arsyen e rolit të zbehur të UNMIK-ut në Kosovë.

“Vazhdimi i përdorimit të dhunës dhe retorika nxitëse nga partitë opozitare, të cilat rezultuan me ndërprerje të punimeve të Kuvendit dhe përshkallëzuan tensionet në rrugët e Kosovës, përbën një shqetësim serioz,” thotë Ban.

Në raportin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar edhe vendimin, përkatësisht vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese në procesin e krijimit të Asociacionit të komunave serbe si një hap të rëndësishëm për të theksuar se ‘procedurat e rëna dakord rreth krijimit të Asociacionit nuk po përmbushin afatet e caktuara kohore.’/Insajderi