Këshilli Evropian: Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane

Këshilli Evropian: Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane

Edhe pse e ka shtyrë anëtarësimin e vendeve të reja në Bashkimin Evropian pas vitit 2020, Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker ka konfirmuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në mbledhjen e së enjtes të Këshillit Europian në Bruksel Juncker tha: “Ne u kemi konfirmuar më parë dhe ju kemi rikonfirmuar edhe njëherë qartësisht vendeve të Ballkanit Perëndimor prespektivën e qartë europiane. Kjo ishte ndër temat që kam diskutuar me liderët europianë në këtë samit”

Udhëheqësit evropianë i kanë zgjatur  mandatin edhe me dy vite e gjysmë në krye të Këshillit, ish-kryeministrit polak, Donald Tusk. Në samitin europian, Tusk  deklaroi se “situata në Ballkan është e brishtë, por BE mbetet i vendosur për t’ju përmbajtur zotimeve të bëra”.

“Do të shohim gjithashtu mënyrat si duhet vepruar përballë objektivit tonë të përbashkët të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Europës duke paralajmeruar rrezikun permanent nga ndërhyrja ruse në rajon”, tha Tusk.

Tusk konfirmoi se ky diskutim ishte kërkuar në mbledhjet e mëparshme nga vetë liderët europianë, për shkak të një sërë zhvillimesh që kanë ndodhur në rajon, ku mund të përmenden ashpërsimi i toneve mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe bllokimi i formimit të qeverisë së re në Maqedoni, njofton tch.

Krerët e shteteve të BE-së janë informuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor nga shefja e diplomacisë europiane Mogherini. Në prag të samitit, Mogherini ka deklaruar se BE është i gatshëm të hapë negociata me Shqipërinë kur të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe procedura e vettingut.