Këshillat e Policisë Federale të Zvicrës kundër radikalizmit

05.11.2017 11:26
Këshillat e Policisë Federale të Zvicrës kundër radikalizmit

Shërbimi sekret i Zvicrës ka regjistruar rreth 70 persona, të cilët për motive xhihadiste kanë qëndruar në Siri dhe Irak. Disa prej tyre tashmë janë kthyer në Zvicër.

Policia Federale (Fedpol) është e angazhuar jo vetëm në luftimin e aktiviteteve terroriste, por edhe në parandalimin e çdo radikalizimi të të rinjve.

Të rinjtë radikalizohen në mënyra të ndryshme: në thellësitë e internetit, në xhami, në familje, në rrethe farefisnore dhe sociale. Nga ky fenomen nuk kanë mbetur të paprekur edhe shqiptarët në Zvicër. Disa prej tyre kanë shkuar në Siri, së paku dy prej tyre janë vrarë atje.

Shpesh imamë kontraversë nga Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Kosova kanë predikuar në “xhamitë shqiptare” në Zvicër.

Disa kanë bërë thirrje për solidaritet «me vëllezërit sirianë», të tjerët mbajnë ligjërata kundër pakicave seksuale, duke e mallkuar homoseksualitetin si krim. Ka shqiptarë që janë aktiv edhe në Këshillin Qendror Islamik të Zvicrës (Islamische Zentralrat Schëeiz), një organizatë fundamentaliste islamike, udhëheqës prominentë të së cilës janë disa konvertitë zviceranë.

Policia Federale të Zvicrës në një broshurë ka përshkruar 6 faza të radikalizimit, të cilët duhet pasur parasysh.

Në fazën e parë qendra kompetente për të trajtuar problemin e radikalizimit janë drejtoritë arsimore, entet sociale dhe të emigracionit, zyrat për ndihmë viktimave, zyrat për parandalimin e dhunës, organizatat e shoqërisë civile.

Në fazën e dytë angazhohet Shërbimi Sekret i Zvicrës bashkë me zyrat kantonale të Shërbimit Sekret. Këto institucione monitorojnë, për shembull, xhihadisët në internet, zhvillojnë biseda me ta, po qe nevoja. Varësisht nga shkalla e radikalizimit fanatikëve fetarë mund t’u merret azili apo leja e qëndrimit, mund t’u edhe refuzohet viza për të hyrë në Zvicër.

Së fundi në Zvicër ka hyrë në fuqi edhe Ligji i ri për Shërbimin Sekret, i cili i jep më shumë kompetenca hetuesve. Ata kanë të drejtë të përgjojnë ambientet private, telefonin, komunikimin në internet (Skype, ËhatsApp, Google etj.), të ndërhyjnë në kompjuterë, të sulmojnë kompjuterë në botën e jashtme. Ndërmarrjet e telekomunikacionit janë të obliguara t’ia vënë në dispozicion Shërbimit Sekret të gjitha të dhënat me qëllim që hetuesit të kenë mundësi të përgjojnë dhe vëzhgojnë.

Faza e tretë parasheh intervenimin e Policisë Federale, zhvillimin e hetimeve të gjera dhe dëbimin nga Zvicra. Në fazën e katërt pason ngritja e aktakuzës dhe dënimi. Faza e pestë përfshinë vuajtjen e dënimit, ndërsa në fazën e gjashtë mund të pasojë marrja e shtetësisë zvicerane, dëbimi nga Zvicra ose mbikëqyrja nga entet sociale (nëse të dënuarit i lejohet të qëndrojë në Zvicër). /DialogPlus.