BE kërkon pezullimin e lëvizjes pa viza të amerikanëve

BE kërkon pezullimin e lëvizjes pa viza të amerikanëve

Qytetarëve nga Shtetet e Bashkuara duhet t’u pezullohet qasja pa viza në Bashkimin Europian përpara verës, sepse Uashingtoni nuk po lejon disa shtetas të BE-së të hyjnë në vendin përtej Atlantikut pa viza.

Ky është thelbi i votimit të ligjvënësve të BE-së gjatë kësaj të enjteje. Parlamenti Europian votoi për të ushtruar presion ndaj Komisionit Europian, organizmit ekzekutiv të BE-së, që të zbatonte një pezullim njëvjear si masë paraprake ndaj refuzimit të Uashingtonit për të lejuar hyrjen pa viza të shtetasve të Polonisë, Kroacisë, Qipros, Rumanisë dhe Bullgarisë, që të gjitha këto vende pjesë e bllokut 28-kombësh.

Një zyrtar i KE-së tha se po vijojnë kontaktet me administratën e Shteteve të Bashkuara për të “nxitur më tej reciprocitetin e vizave”, por nuk shpjegoi më tej faktin që duhet ndërmarrë një veprim i menjëhershëm.

Parlamenti urdhëroi Komisionin të miratojë masat kufizuese kundër shtetasve të Shteteve të Bashkuara “brenda dy muajve”.

“Komisioni do të raportojë mbi progresin e mëtejshëm përpara fundit të qershorit 2017”, tha një zyrtar ekzekutiv i BE-së në një deklaratë përmes “e-mail”-it për agjencinë “Reuters”.

Rregullat e BE-së thonë se vendimi për t’i dhënë fund qasjes pa viza duhet ndërmarrë brenda dy vitesh nga njoftimi i vendeve europiane që nuk sigurojnë qasje të tillë.

Njoftimi i parë për mungesën e reciprocitetit nga Shtetet e Bashkuara është bërë në prill të vitit 2014. Parlamenti argumenton se, për pasojë, Komisioni është “i detyruar ligjërisht” që të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.

Kanadaja është gjithashtu një tjetër vend që kërkon vizat ndaj bullgarëve dhe rumunëve, por Otava ka njoftuar se këto masa do të hiqen në muajin dhjetor.