Kërkohet hetimi i Aeroportit të Prishtinës dhe “Becthel Enkas”

Kërkohet hetimi i Aeroportit të Prishtinës dhe “Becthel Enkas”

Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një reagimi ka kërkuar hetim për Aeroportin e Prishtinës lidhur me rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve, po ashtu hetim ka kërkuar edhe për kompaninë e ndërtimit Bechtel-Enka, për rastin e humbjes së jetës së dy policëve të rënë në lumin Lepenc.

 

KMDLNj thotë se këta shtetas turq thjesht u kidnapuan duke i shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare që e rregullojnë strehimin. Andaj kërkon hetim të Aeroportit.

“Duhet të zhvillohen hetimet ndaj drejtueseve ( turq ) të aeroportit të Prishtinës dhe në rast se sigurohen prova për përfshirjen e tyre në këtë krim dhe shkelje të rëndë të drejtave të njeriut, koncensionarit të aeroportit Limak – Celik duhet t’i merret leja e punës shkaku se , nëse sigurohen faktet, është përfshirë në aktivitet kriminal”, thuhet në reagim.

Kosova për këtë bashkëpunim në aktivitet kriminal kundër të drejtave të njeriut do ta paguajë faturën e përgjegjësisë në të ardhmen ndonëse ka përpjekje nga disa segmente të shtetit që kanë përgjegjësi konkrete ta minimizojnë këtë çështje.

Gjithashtu KMDLNj kërkon që të intensifikohen hetimet kundër Bechtel – Enka për përgjegjësi eventuale lidhur me aksidentin e dy policëve që ranë në lumin Lepenc në të cilin edhe para disa dite ndodhin një aksident tjetër..

“Mospasja e sinjaleve dhe ndriçimit në rrugë ku bëhen punët dhe e cila ngushtohet e që është përgjegjësi e kompanisë që i ka kryer punët mund të jetë shkaktar për humbje të jetës së dy policëve dhe këto, pas një hetimi duhet të kërkohet përgjegjësia eventuale e Bechtel – Enka e cila, me pëlqimin e politikanëve të korruptuar kosovarë ka bërë krim të pashembullt ndaj mjedisit në Luginën e lumit Lepenc duke e degraduar dhe shkatërruar pakthyeshëm sistemin ekologjik të kësaj pjese të Kosovës”, thuhet në reagim.