Kërkohen masa kundër ish-kryetarit të gjykatës pas parashkrimit të mbi 10 mijë lëndëve

Kërkohen masa kundër ish-kryetarit të gjykatës pas parashkrimit të mbi 10 mijë lëndëve

Parashkrimi i mbi 10 mijë lëndëve të kundërvajtjes në komunikacion në Degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Drenas, do t`i kushtojë me masë disiplinore ish-kryetarit të Degës, Avdi Haxhaj.

Pas hetimeve disamujore të zhvilluara nga Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD), ai është gjetur përgjegjës për neglizhencë dhe shkelje të Kodit Profesional të Etikës, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo zyre, siç ka mësuar “Koha Ditore”, i ka rekomanduar Komisionit Disiplinor në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që të marrë masa disiplinore kundër Avdi Haxhajt, duke qenë se ky komision konsiderohet si shkallë e dytë.

Vetë ish-kryetari nuk ka pranuar të komentojë vendimin e ZPD-së. Ka thënë se gjithçka çfarë ka për të thënë, do ta thotë para komisionit. Në anën tjetër, KGJK-ja nuk është përgjigjur nëse ka filluar ta trajtojë këtë rast.