Kërkesa e Zyrës së BE-së dhe EULEX-it për partitë politike

Kërkesa e Zyrës së BE-së dhe EULEX-it për partitë politike

Zyra e BE-së në Kosovë dhe EULEX në një deklaratë të përbashkët u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozitën e lartë që ata mbajnë, si dhe të sigurojnë që ato të zhvillohen në pajtim me standardet ndërkombëtare.

“Për ne, si evropianë, e drejta e Kosovës për të zgjedhur udhëheqësit e saj, pa frikë apo ndërhyrje, është një parim i shenjtë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha palëve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje që të sigurojnë që ato të zhvillohen në pajtim me standardet ndërkombëtare. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozitën e lartë që ata mbajnë. Kosova meriton përfaqësues të pozitës dhe autoritetit të lartë moral”, thuhet në komunikatë.

“Në shumë prej vendeve tona, individët të cilët janë dënuar për krime të rënda përjashtohen automatikisht nga pjesëmarrja në zgjedhje. Kosova meriton kandidatët që përmbushin standardet më të larta për zyrtarët publikë”.

Zyra e BE-së në Kosovë dhe EULEX shpresojnë për një fushatë të qetë dhe të hapur parazgjedhore ku mosmarrëveshjet shprehen në një mënyrë konstruktive dhe paqësore e cila promovon pluralizmin dhe tolerancën për mendime të ndryshme.

Zyra e BE-së në Kosovë dhe EULEX po ashtu kanë premtuar se pas zgjedhjeve do të punojnë me përfaqësuesit që zgjedhin qytetarët e Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet ekonomike e politike në bazë të përkushtimit të përbashkët, përfshirë edhe angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës dhe Agjendës për Reforma Evropiane./Insajderi.com