Kërkesa e presidentit për librat anti-semite nuk ka arritur në gjykatë

Kërkesa e presidentit për librat anti-semite nuk ka arritur në gjykatë

Kur presidenti i vendit kishte vendosur që me 17 nëntor të këtij viti t’i kthente letrën Shimon Samuels, drejtorit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Qendrën “Simon Wiesenthal”, një ish-drejtor i Institutit “David Leonard” për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin hebraik të Jerusalemit, ishte treguar mjaft i përgjegjshëm.

Ndaj kërkesës që Kosova të ndalonte shitjen e librave anti-semite, presidenti Thaçi kishte thënë se “pavarësisht se sa i izoluar ky incident mund të jetë” ai kishte marrë të gjitha masat që të lajmëroj autoritetet.

“Unë ju siguroj se kam bërë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të hetojnë këtë rast dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e urrejtjes e cila është në kundërshtim me dokumentet dhe parimet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në letrën e tij.

Por kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi i ka thënë Insajderit se në institucionin që ai e drejton nuk ka arritur asnjë ankesë apo shkresë për sa i përket shitjes së librave anti-semite në Kosovë.

“Sipas evidencës që posedojmë tani për tani, në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk është dorëzuar asnjë kërkesë për ndalimin e shitjes së ndonjë libri në Prishtinë”, ka thënë Ibrahimi.

Përpos letrës së presidentit, edhe këshilltari i tij, Ardian Arifaj, e kishte konfirmuar kërkesën për hetimin e menjëhershëm të rastit dhe marrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për të penguar përhapjen e urrejtjes dhe shkeljen flagrante të Kushtetutës.

“Presidenti, me të marrë një njoftim të tillë, ka reaguar menjëherë dhe ka kërkuar nga organet kompetente që edhe ta hetojnë rastin, por edhe të veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës – nëse vërtetohet që ka përhapje të urrejtjes”, ka thënë Arifaj për Radion Evropa e Lirë.

Para dy netësh, Insajderi bazuar në raportimet e medieve në Izrael, shkroi se dy aktivistë dhe profesorë të njohur të çështjes izraelite në Evropë i kanë kërkuar presidentit Thaçi që të ndalojë shitjen e librave anti-semite.

Përkatësisht bëhej fjalë për librat si  “Lufta ime”, e Adolf Hitlerit, “Ujku gri”, “Sinagoga e Satanit dhe “Te fshehtat e Mosadit”, të cilat shiten edhe në tezgat që janë në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryqytet.

Lajmi bëri bujë në shumë media lokale dhe ndërkombëtare teksa presidenti në letrën e tij i shkruan profesorëve izraelit se do të “mbetet vigjilent dhe të alarmuar për mundësinë e individëve në  Kosovë që kanë qëllim për të indoktrinuar dhe përhapur e ideologjitë radikale, duke kërcënuar arritjet që kemi bërë si shtet dhe si shoqëri”.

“Kjo është arsyeja pse ne marrim seriozisht ndonjë informacion në lidhje me çdo aktivitet të tillë. Prandaj, unë do të doja të ju falënderoj për bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës lidhur me çështjen e shitjes së librave anti-semite në Prishtinë”, ka shkruar Thaçi./Insajderi.com

Letra e presidentit drejtuar izraelitit që kërkonte ndalimin e librave anti-semite

Rrëfimi i librashitësit kosovar për takimin me izraelitin që i shkroi Thaçit