Kërkesa e Haradinajt për dialogun që e parashtroi në BE

Kërkesa e Haradinajt për dialogun që e parashtroi në BE

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një konferencë të mbajtur sot para mediave, ka treguar se në takimin e MSA-së i cili u mbajt dje në Bruksel është biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës, ku ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“Në këtë takim kemi paraqitur qëndrimet e Kosovës për perspektivën tonë evropiane. Kishim edhe një takim me komisionarin Hahn. Me të gjitha takimet e kemi shfrytëzua mundësinë të raportojmë për punët e bëra, për prioritetet e identifikuara, për qëndrimet tona për temat me rëndësi, si zhvillimet rajonale, dialogu. Në secilin takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave”, ka thënë Haradinaj.

Kujtojmë se dje në këtë takim, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka lëshuar takimin e Këshillit të MSA-së e nervozuar, ndonëse raportohej për shkak se Haradinaj ka përmendur nevojën që SHBA-ja të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

Haradinaj sot tha se megjithëse Mogherini ka treguar një përkushtim shumë të madh për Kosovën, megjithatë Kosova ka humbur kohë në disa gjëra të rëndësishme për sa i përket perspektivës evropiane.

Ai tha se ka kërkuar që edhe roli i Amerikës të jetë i rëndësishëm dhe me rol kyç në dialogun Kosovë-Serbi.

“Kosova është serioze në perspektivën e vet evropiane. Kosova nuk është neutrale. Ne jemi vend euroatlantik që aspirojmë anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht për Kosovën roli i Amerikës në çështjet e pambyllura, është rol i pazëvendësueshëm dhe në këtë pozicion tonin besoj se pajtojmë të gjithë, edhe të tjerët, sepse problemet e Ballkanit nuk janë zgjidhur pa rolin serioz të Amerikës dhe ky është qëndrimi ynë”, tha Haradinaj.