Kërkesa e Daçiqit në OKB për Kosovën

14.11.2017 18:19
Kërkesa e Daçiqit në OKB për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ka katër vjet e gjysmë që nuk është krijuar në Kosovë, prej arritjes së marrëveshjes në Bruksel.

Ai në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në raportin tremujor për Kosovën, tha se kjo është pika kryesore e Serbisë, pra krijimi i Asociacionit.

“Dua t’i ftoj përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë që pa hezitim t’i qasen krijimit të asociacionit. Prishtina vazhdon të mos i respektojë udhëtimet e zyrtarëve serbë në Kosovë. Nuk ka një trajtim të duhur të personave të zhvendosur”, ka shtuar Daçiq.

Daçiq ka thënë se duke pasur parasysh situatën politike në Kosovë, duhet të ju tregoj se prania e UNMIK garanton siguri për popullatën serbe dhe jo shqiptare, shkruan Klan Kosova.

“Ende janë rreth 200 mijë persona të zhvendosur nga Kosova dhe shumë pak prej tyre janë kthyer. Raporti i thekson disa mungesa, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të serbëve. Në Kosovë ka edhe arrestime arbitrare që flasin për situatën politike, flas për arrestimin e serbëve në jug të Kosovës, e të cilët janë të akuzuar për krime”.

“Shpresojmë që të gjithë të akuzuarit për krime lufte do të ketë një proces kredibil gjyqësor. Serbia sikur deri tani është përkushtuar në dialogun me Prishtinën. Serbia ka ofruar gjithmonë kompromis. Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë deklaruar se kushtet për hyrje në qeverinë Haradinaj janë më se të qarta”, ka thënë Daçiq ndër të tjera.