Kërkesa amerikane për menaxhimin e pasurive të Kosovës

Autoritet amerikane të fushës së ekonomisë në Kosovë ka tre vite që ka bërë një kërkesë tek institucionet e Kosovës lidhur me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale që të shndërrohet në një zyre e cila do të kishte funksione të ndryshme. Kjo kërkesë është ripërsëritur edhe njëherë, por përgjigja është e njëjtë

Kërkesa amerikane për menaxhimin e pasurive të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane ka shfrytëzuar tryezën “Shfrytëzimi i Burimeve Natyrore për Zhvillim Ekonomik” që të kërkojë përsëri një përgjigje për kërkesën e tyre lidhur me funksionimin e institucionit që merret me  të gjitha lejet dhe licencat për shfrytëzimin minerar të pasurive nëntokësore të Kosovës.

Ideja amerikane është shndërrimi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale në një zyre të stilit “one-stop-shop” që në terminologjinë e biznesit në këtë rast nënkupton “një zyrë në të cilën kryhen ose ofrohen shërbime të shumta”.

Pra ideja është që  KPMM-ja të jetë një zyre në të cilën jepen ose ofrohen më shumë shërbime në fushën e menaxhimit dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore, përtej atyre shërbimeve që tash ofron KPMM-ja sipas të dhënave zyrtare në sajtin e tyre.

Sipas një komunikate të lëshuar nga OEA-ja, thuhet se gjatë tryezës së mbajtur të mërkurën, “i pyetur rreth  shndërrimit të KPMM-së në një “one-stop-shop”, kërkesë kjo e Odës Amerikane që nga viti 2013, anëtari i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale Azem Rexhaj tha se me ligjin aktual parashihet që kompanitë të cilat aplikojnë në KPMM, duhet të marrin paraprakisht aprovimet edhe nga ministritë e tjera përkatëse, gjë që pamundëson funksionimin e KPMM-së si “one-stop-shop””.

Kjo po shihet si ide e mirë edhe nga Qeveria e Kosovës.

Përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik u pajtuan se një “one-stop-shop” duhet të themelohet, sepse është në interes të tërheqjes së investitorëve të huaj dhe rritjes ekonomike, si rezultat.

Paul Nelles, drejtor Menaxhues në Peshter Mining citohet të ketë thënë se “pavarësisht supozimeve mbi pasuritë natyrore të Kosovës, kompanitë hulumtuese janë kyçe për përcaktimin e këtyre burimeve natyrore dhe gjetjen e investitorëve të huaj dhe vendor”.

Ndërsa Burim Asllani, drejtor Ekzekutiv në E&E Experts tha se koordinimi më i mirë i ligjeve do të krijonte një mjedis më të favorshëm për të tërhequr kompanitë hulumtuese apo edhe investitorët e huaj./Insajderi.com