Kërcënohet gazetarja Arbana Xharra, i vizatohen kryqe në muret e banesës

Kërcënohet gazetarja Arbana Xharra, i vizatohen kryqe në muret e banesës

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, është kërcënuar përmes një mesazhi që i është lënë në hymjen e objektit të banimit.

Kërcënuesit kanë gjetur adresën e banimit të Xharrës në Prishtinë, dhe në muret jashtë banesës së saj kanë vizatuar me ngjyrë të kuqe disa kryqe gjigantë.

Të njëjtën e kanë bërë edhe në parkingun e banesës së saj, ku ajo zakonisht e lë veturën, njofton Gazeta Zëri.

Xharra ka treguar në detaje se si ka ndodhur rasti, derisa ka thënë se kërcënimi në formë kryqi është vizatuar pasi që ajo ka dalë nga apartamenti.

“Andini (bashkëshorti) kur ka dalë prej banesës dhe e ka pa te dera këtë shenjë. Kanë dalë me pa nëse ka kamera diku rrotull. Tu kërku kamera e kane pa që edhe në parking ku unë e parkoj veturën është e njëjta shenjë”, ka thënë Xharra.

Kryeredaktorja e “Zërit”, ka treguar se ka lajmëruar rastin në polici, e cila po merret tani me hetimet, shkruan Insajderi.

Për këtë kërcënim ndaj gazetarës Xharra, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Ka shprehur shqetësim për këtë sulm ndaj kryeredaktores së Zërit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim lajmin se kolegia Arbana Xharra është duke u ndier e kërcënuar pasi persona të njohur sipas saj, ia kanë vizatuar një simbol në formë kryqi me ngjyrë të kuqe në hyrje të banesës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK kërkon nga Policia e Kosovës që sa më parë ta hetojë këtë rast.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do ta përcjellë me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase nga organet e rendit”, përfundon reagimi. /Insajderi.com