Kërcënohet 18 vjeçarja se do të publikohen fotografitë e saj

11.11.2017 12:58
Kërcënohet 18 vjeçarja se do të publikohen fotografitë e saj

Vajzë 18 vjeçare nga fshati Dobërdoll i Gostivarit, dje në stacionin policor në Gostivar ka denoncuar person nga Tetova për shantazh.

Nga SPB Tetovë informojnë se vajza është përballur me shantaz dhe kërcënime nga ana e 20 vjeçarit nga Tetova, i cili nëpërmjet porosive dhe telefonatave ka kërkuar prej saj 400 euro, në të kundërtën ka thënë se do të publikojë fotografi të saja. Fotografitë me të cilat është shantazhuar vajza janë marrë nga profili i saj në rrjetet sociale.

Pas denoncimit, nga policia thonë se është zbuluar identiteti i personit që ka kryer shantazh dhe thuhet se do të ftohet për bisedë në polici.

Këtë vit, në rajonin që mbulon SPB Tetovë, janë regjistruar pesëdhjetë raste të keqpërdorimit të të dhënave personale, fotografive, video incizimeve dhe mashtrimeve nëpërmjet rrjeteve sociale. Për këtë arsye, nga SPB Tetovë apelojnë deri te përdoruesite rrjeteve sociale dhe në veçanti personat e moshave më të reja të jenë të kujdesshëm gjatë shkëmbimit të të dhënave personale, fotografive dhe dokumenteve.