Kërcënimi i tretë i Mustafës që mund t’ia sigurojë disfatën më të thellë LDK-së

E dalë si partia e tretë në zgjedhjet e përgjithshme, LDK po garon në zgjedhjet komunale për të mbajtur komunat që qeverisë dhe për t’i fituar disa të tjera. Por gjuha dhe paralajmërimet që lideri i kësaj partie i bënë anëtarëve të kësaj partie që po garojnë në zgjedhjet lokale mund të jetë fatal për ta. Mund ti humbin zgjedhjet.

Kërcënimi i tretë i Mustafës që mund t’ia sigurojë disfatën më të thellë LDK-së

Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, është në hall me të padëgjueshmit në parti. Qysh prej kohës që ka marrë drejtimin e partisë, kjo praktikë e anëtarëve dhe deputetëve të partisë së tij ka quar së paku në dy raste të kërcënimit nga lideri për mosbindje por kërcënimi i tretë që Mustafa e ka dhënë në kohë fushate mund ta qoj partinë e tij në një disfatë rezultati final i së cilës mund të dihet me 23 tetor të këtij viti, një ditë pasi kosovarët do të votojnë për të zgjedhurit e tyre në Komuna

Kërcënimi i parë

Isa Mustafa u bë kryeministër i vendit kur lidhi një marrëveshje politike me rivalin e partisë së tij, PDK-së, së drejtuar nga Hashim Thaçi.  Qysh në lidhje të kësaj marrëveshje, Mustafa u përballë me anëtarë e deputetë të partisë së tij që nuk i bindeshin atij dhe vendime të kryesisë së partisë.

Gjithçka kulmoi kur këta anëtarë dhe deputetë të LDK-së do të ngriheshin kundër liderit të tyre, në së paku dy raste, quan krye kundër vendimeve të partisë: votimi i Hashim Thaçit president dhe votimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Në të dyja rastet, Mustafa zgjodhi një formë të prerë të komunikimit që më vonë u shndërrua në një formë të qartë të kërcënimit.

I pari kërcënim për mosbindje të rregullave dhe vendimeve të partisë kishte ndodhur kur kishte ardhur koha që një nga pikat e marrëveshjes mes LDK-së dhe PDK-së të votohej në Parlament. Hashim Thaçi, duhet të zgjidhej president, por me këtë vendim nuk pajtoheshin shumë deputetë të LDK-së dhe kjo e bëri nervoz Mustafën.

Me 27 shkurt të vitit 2016, kur jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës bëhej protestë nga opozita kundër zgjedhjes së Thaçit president, disa deputetë të LDK-së përfshirë Vjosa Osmani, Anton Qunin, Shpetim Bulliqi, Hatim Baxhaku dhe Adem Salihaj, nuk kishin marrë pjesë në seancë, dhe kjo kishte bërë që Mustafa të reagonte ashpër duke u treguar madje edhe ironik ndaj tyre.

“Dje, derisa VV-ja po bënte terror mbi institucionet e Republikës së Kosovës, derisa ma sulmon shtëpinë me shishe molotovi, pyeta se ku janë edhe disa deputetë që kanë marrë vota në emër të LDK-së, sepse nuk shiheni se janë me shumicën e kolegëve të tyre. Frikohesha se janë zënë peng në çadrat e VV. Por jo! Dikush më tha se i kanë kërcënuar, e tjetri se kanë fluturar, me marrë udhëzime në çadrat e verës australiane. Kryesorja që janë gjallë. Ata që e respektuar votën e qytetarëve ishin në Parlament. Nuk u frikësuan”, shkruante Mustafa në Facebook.

Kjo ngjalli reagime të ashpra nga deputetët që munguan duke e quajtur atë njeri në shërbim të Hashim Thaçit. Por kjo nuk kishte shkaktuar ndonjë furtunë në partinë e tij, por Mustafa do ta sillte partinë në një pikë kritike, 6 muaj më vonë.

Kërcënimi dytë

Në gusht, opozita përsëri kishte dalë në rrugë. Tash kundër demarkacionit me Malin e Zi që Kuvendi i Kosovës duhej ta ratifikonte si kusht i BE-së për liberalizim vizash.

Ai në gusht të vitit të kaluar, shprehej i bindur se marrëveshja do të implementohet në Kuvend edhe pse kjo kurrë nuk ndodhi, pikërisht për shkak se disa deputetë të LDK-së nuk e votonin atë marrëveshje. Ishin bashkë me qëndrimet e opozitës se Kosova po humbte territor. Bile njëri prej kundërshtarëve më të mdhenj të kësaj marrëveshje, ish-deputeti i LDK-së, Shpetim Bulliqi, sot është kryesues i Komisionit për Shenjimin e Kufirit, emëruar nga kundërshtari kryesor i demarkacionit, tash kryeministër, Ramush Haradinaj.

Mustafa duke u thirrur në qëndrimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe kryesisë së partisë së tij, thoshte se ata deputetë që vijnë ngaLDK-ja, në rast të votimit kundër, nuk përfaqësojnë interesat e LDK-së, dhe se me ta do të merren organet e LDK-së më pas.

“Ata që janë kundër, nuk përfaqësojnë qëndrimet e LDK-së, çfarë bën pastaj LDK-ja më pas, është çështje e organeve të LDK-së”, kishte Mustafa në një intervistë në RTK.

Por mosbindja e anëtarëve të LDK-së ndaj vendimeve të partisë po vazhdon edhe pasi Mustafa u rrëzua nga posti i kryeministrit, humbi zgjedhjet qendrore të mbajtura në qershor duke dalë partia e tretë dhe dështoi të lidhte një marrëveshje me VV-në që ta pengonin koalicionin PAN të krijonte qeverinë. Në vend të kësaj, ai humbi partnerin e para zgjedhjeve, Behgjet Pacollin, që doli nga koalicioni me LDK-në dhe u bë bashkë me PAN në një koalicion paszgjedhor.

Kërcënimi i tretë

Për dallim prej dy kërcënimeve të tjera që nuk patën pasoja fatale për LDK-në, “kërcënimi” i tretë i Mustafës, 3 javë para zgjedhjeve lokale, mund t’ia sigurojë LDK-së një disfatë më të thellë sesa ajo e qershorit.

Kjo pasi një urdhër i kryetarit Isa Mustafa dhe Kryesisë së LDK-së, është shpërfillur nga anëtarët e saj në disa komuna, e që ka ngjallur reagim të fortë tek kryetari Mustafa i cili kërcënon me sabotim të gjithë kandidatët për kryetarë që shpërfillën vendimin e partisë.

Një veprim të tillë kërcënues kreu i LDK-së e kishte bërë edhe ndaj deputetëve që votonin kundër propozimeve të Qeverisë ose partnerit qeverisës (PDK), sikurse votimi i Thaçit president dhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Kryesia e Lidhjes Demokratike mori vendim – të cilin e kumtoi publikisht shefi i partisë më 25 shtator – se do të heqin dorë nga përdorimi i postierëve të kandidatëve për kryetarë dhe asamble komunale – me pretekst për ruajtjen e hapësirave publike dhe pronave private.

“Ky është vendim i Shtabit zgjedhor dhe i kryetarëve të degëve nga takimi i sotëm në Selinë e LDK-së.  Do të respektojmë ambientin, pronat publike dhe private”, kishte thënë Mustafa, duke dhënë përshtypjen se partia e tij do të bënte një fushatë korrekte.

Por, vendimi i Kryesisë së LDK-së u shpërfill. Madje, pas 10 ditësh fushatë zgjedhore, LDK prin me gjoba të shqiptuara për shkak të shkeljeve në fushatë.

LDK-ja e Isa Mustafës ka për detyrim të paguajë borxh prej 13 mijë eurove për shkak të fushatës së kundërligjshme, të bërë deri më tani në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2017.

Degët e LDK-së që shpërfillën urdhrin e partisë

Në disa komuna, degët e Lidhjes Demokratike shpërfillën urdhrin e kryetarit Mustafa dhe të Kryesisë së partisë.

Insajderi ka siguruar vendime të PZAP-it në tri komuna, në të cilat kandidatët për kryetarë të LDK-së kanë dalë hapur kundër urdhrit të partisë.

Madje, janë dënuar për shkak të vendosjes së kundërligjshme të postierëve të tyre.

Degët e partisë në Pejë, Ferizaj e Suharekë kanë vendosur postierë të kandidatëve për kryetarë dhe asamble komunale në komunat përkatëse. Në Ferizaj dhe Pejë – ku LDK ka udhëhequr në katër vitet e fundit – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) u shqiptoi dënime me gjobë.

Një poster i Gazmend Muhaxherit – i vendosur në objektin e Komunës së Pejës – i ka kushtoi me gjobë prej 700.00 (shtatëqind) eurove Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kjo pasi, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e dënoi me gjobë LDK-në për postierin e kandidatit të saj në Pejë, në kundërshtim me Ligjin Për Zgjedhje.

Tjetër dënim për LDK-në

Ndërkaq, në Ferizaj, PZAP e dënoi me 950 euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi dega e kësaj partie në Ferizaj kishte vendosur postierë “mbi rruge publike” – siç thuhej në vendimin e PZAP që e siguron Insajderi.

Pasi u bë e ditur se LDK prin me shifrën më të madhe të gjobave të shqiptuara nga PZAP për keqpërdorime gjatë fushatës zgjedhore, i pari i partisë më të hershme kosovare, Isa Mustafa, lëshoi paralajmërim të fortë.

Ish-kryeministri u shpreh se LDK do të publikojë emrat e atyre që nuk respektuan heqjen dorë nga posterët. Megjithatë, Isa Mustafa nuk u ndal me kaq. Tha se anëtarësia e LDK-së do t’i sabotojë këta kandidatë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Mustafa kërcënon me sabotim kandidatët e LDK-së për kryetarë

“Do të kërkojmë që dënimet t’i paguajnë ata që thyejnë rregullat dhe se nuk do të kërkojmë votë për ata/ato nga qytetarët dhe anëtarësia e LDK-së”, deklaroi Mustafa, në një shkrim që e publikoi në profilin e tij në Facebook.

Kërcënimi i Isa Mustafës, se LDK do nuk do t’i mbështes kandidatët që shpërfillën urdhrin e partisë për postierët, mund të rezultojë në një “shpartallim” të madh që u nis nga një vendim lehtë i pranueshëm.

Tanimë, kur duket se “Kuvendi i Karrigeve” që ndau në dysh partinë në nëntorin e 2006-s është një njollë e zezë e shlyer në harresë, LDK përballet me rrezikun e një ndarjeje të madhe para zgjedhjeve të 22 tetorit 2017. Ndarje që mund të rezultoi me një debakël në rezultat./Insajderi.com