Kërcënimi që vazhdon ta përndjekë kryeministrin Mustafa

Kërcënimi që vazhdon ta përndjekë kryeministrin Mustafa

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka gjetur se mediat kosovare janë në pozitë të vështirë dhe se liria e shtypit në vend sfidohet në disa drejtime.

Sipas raportit, Qeveria e Kosovës në përgjithësi respekton të drejtën e lirisë së shprehjes dhe medieve, porse kanë qenë vetë zyrtarë publik dhe politikanë që kanë tentuar të frikësojnë gazetarët.

Mediat po ashtu kanë hasur në vështirësi që të marrin informacion nga qeveria dhe institucionet publike, thuhet në raport.

“Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe kanë shprehur llojllojshmëri të pikëpamjeve, në përgjithësi pa ndalesa, edhe pse ka pasur raportime se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznesmenë të lidhur me qeverinë, grupe fetare kanë bërë presion tek pronarët e medieve, redaktorët dhe gazetarët që të mos publikojnë artikuj ose materiale të ndryshme”, thuhet në raport.

Një nga këto kërcënime që përmendet në raportin e DASh-it është edhe kërcënimi i kryeministrit Isa Mustafa ndaj kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi, të bërë më 20 mars të vitit 2016.

Atë ditë, kryeministrit Mustafa nuk i kishte pëlqyer artikulli i publikuar nga Insajderi, i titulluar “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani”. Artikulli shpërfaqte gjendjen e vështirë të shëndetësisë në vend, duke nënvizuar se ka qenë vetë vëllai i kryeministrit që kishte kërkuar azil për të gjetur shërim në vende të Evropës Perëndimore.

Për këtë arsye, Mustafa kishte telefonuar autorin e këtij shkrimi, gazetarin Vehbi Kajtazi, të cilin e kishte quajtur “qen bir qeni” dhe e kishte paralajmëruar se për shkrimin e bërë “do ta paguante shtrenjtë”. Autori i artikullit e kishte denoncuar kërcënimin e Mustafës në Policinë e Kosovës.

“Policia ka përcjellë rastin tek prokuroria, por deri në muajin dhjetor, nuk ka pasur akuza të ngritura,” thuhet në raportin e DASh-it.

Në fakt, kërcënimi i kryeministrit është përmendur në raporte të rëndësishme ndërkombëtare.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch, që analizon çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut në mbi 90 vende të botës, ka shprehur shqetësim lidhur me lirinë e mediave në Kosovë. Në raportin për vitin 2016, thuhet se kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar, dhe se hetimi i këtyre rasteve ka qenë i ngadaltë.

Në këtë raport përmendet edhe kërcënimi që kryeministri Mustafa ka bërë në drejtim të Kajtazit.

Përveç kësaj, ndaj këtij rasti kishte reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që kishte organizuar edhe një protestë para ndërtesës së Qeverisë.

Marrëdhënia e kryeministrit me mediat por edhe me organizata të shoqërisë civile nuk ka qenë ndër më të mirat, me Mustafën që në një numër rastesh është lëshuar edhe në fyerje personale ndaj atyre që e kritikuan.

Në ndërkohë, në një raport të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës të publikuar muajin e kaluart, thuhet se gazetarët janë të pakënaqur me qasjen e qeverisë ndaj medieve.

Gazetarët e anketuar në këtë hulumtim pohuan se qeveria, partitë politike dhe gjykatat demonstrojnë pak transparencë.

“77,78 për qind e gazetarëve thanë se Qeveria e Kosovës tregon disi ose pak transparencë”, thuhet në raport.

“Shumë gazetarë thanë se qeveria dhe ministritë zakonisht nuk iu përgjigjen kërkesave të tyre për qasje në dokumente zyrtare”, thuhet tutje në raport./Insajderi.com