“Kërcënimi i mbuluar”- libri mbi islamin politik dhe mbulesën e gruas

“Gratë myslimane udhëheqin në familje. Ato i edukojnë bijat e tyre që të bëhen krijesa amorfe e të pavullnetshme ndërsa bijtë e tyre, maço të llastuar”, thotë Zana Ramadani.

“Kërcënimi i mbuluar”- libri mbi islamin politik dhe mbulesën e gruas

Zana Ramadani, shqiptarja nga Maqedonia, e cila qe bërë e njohur si bashkëthemeluese e organizatës “Femen” për Gjermani, është paraqitur së fundi edhe si autore e një libri.

“Die verschleierte Gefahr” (Kërcënimi i mbuluar) quhet ky libër, i cili në opinionin gjerman po bën jehonë për tonin kritik që autorja përdor kundrejt islamit politik, shkruan gazeta austriake “Die Kronne”, e cila ka zhvilluar një bisedë me Zana Ramadanin.

Është interesante se në këtë prezantim, shqiptarja 33 vjeçare e vë në thumb të kritikës pikërisht gruan myslimane.

“Gratë myslimane udhëheqin në familje. Ato i edukojnë bijat e tyre që të bëhen krijesa amorfe e të pavullnetshme ndërsa bijtë e tyre, maço të llastuar”, ka thënë ajo.

Vetë Zana Ramadani është rritur në një familje myslimane (shqiptare nga Maqedonia) dhe ka ardhur në Gjermani si vajzë e vogël 7 vjeçare. Ajo e ka ndjerë në lëkurën e vet forcën (dhunën) e së ëmës dhe e ka vënë atë në fokus të librit të saj.

“Dora e një myslimaneje godet në mënyrë shumë të lirshme mbi të bijën, edhe pse kjo nuk mbështetet në kuran. Gratë e shohin veten si mbrojtëse të një tradite, nga e cila kanë vuajtur vetë ato”, thotë politikania e CDU-së, përcjell albinfo.ch.

Ajo nuk e kursen shoqërinë nga kritika për “maninë e tolerancës” së saj në lidhje me mbulesën myslimane të gruas.

Pavarësisht a është fjala për shaminë e kokës apo për burka, që të dyja janë fare qartë kundër barazisë së gruas dhe njëkohësisht janë simbole të islamit politik. Këto veshje simbolizojnë, sipas saj, paaftësimin dhe `defeminizimin` e grave.

“Për shkak të sigurisë në familje, shumë nga to nuk kanë jetë jashtë komunitetit të tyre. Ne duhet ta ndërpresim sjelljen tonë që islamin politik dhe diskriminimin e vazhdueshëm të gruas myslimane, duke e minimizuar, e paraqet si respektim të identitetit kulturor. Integrimi dhe arsimimi janë detyra të shtetit dhe jo të shoqatave të myslimanëve”, ka thënë Zana Ramadani në intervistë.