Kërcënimi i kryeministrit ndaj gazetarit Kajtazi përmendet në raportin e HRW-së

Kërcënimi i kryeministrit ndaj gazetarit Kajtazi përmendet në raportin e HRW-së

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch, që analizon çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut në mbi 90 vende të botës, ka shprehur shqetësim lidhur me lirinë e mediave në Kosovë.

Në raportin për vitin 2016, thuhet se kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar, dhe se hetimi i këtyre rasteve ka qenë i ngadaltë.

Në këtë raport përmendet edhe kërcënimi që kryeministri Isa Mustafa ka bërë në drejtim të kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi.

“Në mars, gazetari hulumtues Vehbi Kajtazi ka deklaruar se kryeministri Isa Mustafa e ka kërcënuar atë përmes telefonit, duke i thënë se do të paguaj çmim të lartë për një shkrim që Kajtazi e ka publikuar lidhur me shëndetësinë në vend, duke përmendur edhe tentimin e vëllait të kryeministrit për të marrë trajtim mjekësor jashtë vendit”, thuhet në raportin e HRW-së.

Në raport po ashtu përmendet edhe sulmi ndaj RTK-së në gusht të vitit të kaluar.

Në përgjithësi, sipas raportit, mbrojtja e të drejtave të njeriut ka shënuar progres të ngadaltë në Kosovë./Insajderi.com

Hulumtimi që kishte nxitur reagimin e kryeministrit Mustafa:

Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani