Thaçi harron padinë kundër Serbisë, paralajmërohet amnisti

Thaçi harron padinë kundër Serbisë, paralajmërohet amnisti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte ngritur zërin disa herë kur kishte kërcënuar Serbinë se do të paditet për krime lufte dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës në luftën e fundit. Por ky kërcënim i tij kishte përfunduar aty ku presidenti e kishte përfunduar edhe fjalinë. Tash presidenti i vendit është i gatshëm ta falë Serbinë për këto krime, raporton Insajderi.

Në fazën finale të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, Zyra e Presidentit ka deklaruar se në marrëveshjet që do të arrihen mes dy vendeve mund të përfshihet edhe amnistia dhe pajtimi ndaj Serbisë për krime.

I gjithë ky plan i Thaçit për drejtorin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, po shihet se mund të hapë konflikte të reja dhe dhunë mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, ai thotë se kërcënimet e Thaçit për padi ndaj Serbisë kanë qenë vetëm politikë e brendshme e tij.

“Çdokush që i ka përcjellë deklarimet e KMDLNj-së, ne kemi deklaruar se kërcënimet e politikanëve, edhe në këtë rast të Thaçit, kanë qenë vetëm për konsum të brendshëm, kanë pasur qëllimin puro politike dhe askush që është njohës i rrethanave nuk ka besuar se një gjë e tillë do të ngjajë”, ka thënë Shala për Insajderin.

Sipas tij, vënia para drejtësisë e personave që kryen krime lufte në Kosovë është penguar gjithmonë nga politika vendore. Ai thotë se një vullnet të tillë nuk e kanë pasur asnjëherë as misionet ndërkombëtare, ai i UNMIK-ut dhe ai i EULEX-it.

“Unë po ju them që KMDLNJ ka dërguar shumë kallëzime penale edhe në Tribunalin e Hagës, më pas me komisionin profesional dhe me avokatët më të mirë të Kosovës në të gjitha komunat ka dërguar kallëzime penale për krime lufte duke listuar veprat, viktimat si dhe kryerësit e mundshëm, mirëpo administrata e  UNMIK-ut nuk është marrë asnjëherë me ato, për shkak se nuk ka qenë qëllimi të punohet në të drejtë të viktimës, por ka qenë një qëllim që në kurriz të së drejtës së viktimës të ndërtohet një paqe apo të afirmohet një proces paqësor”.

“Edhe me EULEX-in kemi bashkëpunuar për krime lufte dhe as ata nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë diçka, ndërkaq vetëm Policia e Kosovës gjithmonë i është drejtuar KMDLNJ-së për faktet që posedon KMDLNj-a. Ata kanë shprehur vullnet të bëjnë diçka, mirëpo të gjithë kanë qenë të penguar nga politika”, ka thënë Shala.

 ‘Gjarpri’ që i përbiu fjalët

Me dhjetëra herë Hashim Thaçi, apo siç ishte i njohur në luftë me nofkën ‘Gjarpri’, kishte kërcënuar Serbinë se do të paditet për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë, por ky kërcënim nuk është realizuar, madje ai tash po paralajmëron se mund të ketë amnisti për Serbinë.

Kishte qenë jo më larg se marsi i vitit të kaluar kur Thaçi kishte paralajmëruar se Serbia do të paditet nga Kosova për gjenocid herët apo vonë.

“Kosova do të ngre padi për gjenocid të Serbisë të kryer në Kosovë, herët apo vonë”, ka thënë Thaçi.

Të njëjtin qëndrim Thaçi e kishte pasur edhe tri vite më parë. Madje, ai i nervozuar kishte thënë se pasi që Serbia nuk po i kërkon falje Serbisë, do të paditet nga Kosova. Ai e kishte këshilluar Serbinë të marrë modelin e Afrikës Jugore dhe të kërkojë falje.

“Do të ishte mirë sikur Serbia të merrte modelin e Afrikës Jugore dhe të kërkojë falje për krimet e luftës në Kosovë. Por ne jemi dëshmitarë se Serbia vazhdon të kundërshtojë të kërkojë falje. Prandaj ne duhet të gjejmë rrugë ligjore për ta dokumentuar historinë dhe të gjejmë së paku një ngushëllim të vogël për familjet e anëtarëve të mbi dhjetë mijë njerëzve të vrarë dhe të 20 mijë grave të dhunuara”, kishte deklaruar Thaçi.

Por Serbia nuk ka kërkuar falje dhe as Thaçi nuk e ka paditur ende Serbinë për krime lufte. Në një përgjigje nga Zyra e Presidentit dhënë sot ‘Kohës Ditores’ ka pranuar se fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë amnistim dhe falje për Serbinë. Ani pse Serbia nuk ka kërkuar falje asnjëherë.

“Sigurisht që në rast se do të ketë marrëveshje, atëherë ajo marrëveshje do të përmbajë edhe mjaft çështje të tjera, respektivisht protokolle të veçanta. Amnistia dhe pajtimi, mund të jetë një nga këto çështjet të veçanta”.

“Kosova respekton në tërësi konventat ndërkombëtare dhe të drejtat ndërkombëtare, amnistia mund të jetë e pranueshme vetëm për një numër të caktuar të veprave penale”, ka thënë zyra e presidencës.

Kosova e gatshme t’i amnistojë krimet serbe

Sipas Shalës një amnistim i tillë nga Kosova përbënë shkelje të të gjitha konventave ndërkombëtare të luftës. Thotë se personat që kryen krime dhe gjenocid nuk amnistohen asnjëherë dhe se hetimet për ta mund të zgjasin përgjithmonë.

“Duhet ta themi që e drejta ndërkombëtare e përjashton një kategori që janë përgjegjës për krime lufte dhe gjenocid dhe ata asnjëherë nuk amnistohen dhe ato asnjëherë nuk kanë afat, pra nuk iu skadon asnjëherë afati, ata ndiqen duke filluar që nga ai që ka dhënë urdhër e deri tek ai që e ka kryer urdhrin”, ka deklaruar Shala për Insajderin.

Thaçi pritet të përfaqësojë Kosovën në fazën finale të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, teksa është kritikuar mjaft ashpër nga partitë opozitare në Kosovë. Sipas tyre, Thaçi nuk është personi i duhur që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog.

Gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Thaçi mund të jetë i dëmshëm për Kosovën në këtë dialog për shkak të frikës së tij ndaj Gjykatës Speciale./Insadjeri.com