Keqkuptimi dhe kushti i Qëndron Kastratit për emërimin e Bojan Stamenkoviç

Keqkuptimi dhe kushti i Qëndron Kastratit për emërimin e Bojan Stamenkoviç

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati i cili i takon subjektit politik Lëvizjes Vetëvendosje, ka emëruar sot nënkryetar të komunës, Bojan Stamenkoviç, raporton Insajderi.

Emri i Stamenkoviç është përfshirë në një debat teksa është cilësuar si anëtarë i Listës Serbe, por vetë Stamenkoviç, ka mohuar këto zëra. Ka thënë se ai është përfshirë padrejtësisht sepse ekziston një person tjetër me emër dhe mbiemër të njëjtë i cili i takon Listës Serbe.

“Dje dhe sot është diskutuar shumë rreth emërimit tim si nënkryetar i Komunës së Kamenicës nga kryetari, Qëndron Kastrati. Gjithashtu është pare duke qarkulluar nëpër rrjete sociale një listë e kandidateve dhe në të është një emër i njëjte me emrin dhe mbiemrin tim, mirëpo nuk jam unë dhe nuk ka të bëjë fare me mua”, ka thënë Stamenkoviç për Insajderin.

(Bojan Stamenkoviç anëtari i Listës Serbe)

(Bojan Stamenkoviç nënkryetari i emëruar nga Qëndron Kastrati)

Po ashtu ai ka treguar se ka qenë kusht nga Kastrati se ai nuk duhet t’i takojë asnjë subjekti politik tjetër, derisa shpjegon se një kusht i tillë ka qenë edhe nga Dogana e Kosovës ku edhe kishte punuar deri tani.

“Unë deri më tani kam punuar në Doganën e Republikës së Kosovës dhe e kam pas të ndaluar çfarëdo kandidimi. Është obligim i imi që të ju njoftoj se unë nuk kam qene dhe nuk jam pjesë e asnjë subjekti, gjë që ka qene kusht edhe nga kryetari Kastrati”, ka thënë Stamenkoviç për Insajderin.

Më tej ai po ashtu ka thënë se do të jetë përfaqësues vetëm i komunitetit serb, por jo edhe i ndonjë subjekti tjetër politik.

“Unë si nënkryetar i Komunës së Kamenicës do të jem përfaqësues vetëm i komunitetit serb, por jo edhe i ndonjë subjekti politik”, ka thënë Stamenkoviç.

Gjatë ditës së sotme kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka emëruar dy nënkryetarët e komunës si dhe 11 drejtorë në këtë komune.