Keqardhje për serbët e zakonshëm që vuajnë nga Thaçi e Vuçiq

Ne, banorët e këtij shteti, do të vazhdojmë të jetojmë të varfër edhe pas rrënimit të murit. Më keq se ne, serbët e zakonshëm të veriut do të vazhdojnë të mashtrohen nga dy grupe politikanësh. Ata mashtrohen edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi. Ata janë më për keqardhje sesa ne!

Keqardhje për serbët e zakonshëm që vuajnë nga Thaçi e Vuçiq

Keni dëgjuar shpeshherë për zona të banuara me njerëz në botë, për të cilat dy shtete pretendojnë se kujdesen dhe e kontrollojnë atë, ndërsa në fakt ajo kontrollohet nga mafia.

E tillë është pjesa veriore e Kosovës. Aty ka zhvillim të mangët të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë e secilit sektor tjetër. Ajo pjesë është shumëfish më pak e zhvilluar sesa pjesa tjetër e varfër e Kosovës.

Në veri është zhvilluar mirë vetëm mafia, një pjesë e së cilës është e kontrolluar nga Zvonko Veselinoviq.

Duke e lënë atë pjesë të Kosovë të pazhvilluar, politikanët në të dy taborret “kundërshtare”, kanë realizuar përfitim të dyfishtë.

Kanë përfituar nga paratë e krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga njerëzit e afërt të tyre, si dhe kanë përfituar politikisht duke i premtuar të ardhme të ndritur serbëve të varfër të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit e Zveçanit.

Politikanët kosovarë, më së shumti Hashim Thaçi i ka shfrytëzuar për të fituar poenë para bashkësisë ndërkombëtare. Është thirrur vazhdimisht në integrimin e banorëve të asaj pjese. Ka integruar vetëm disa politikanë lokalë mashtrues serbë, të cilëve iu ka dhënë poste qeveritare dhe mundësinë për të përfituar nga bizneset e dyshimta në veri.

Përfituesit më të mëdhenj në kurriz të serbëve të zakonshëm të veriut janë politikanët serbë. Më së shumti ka përfituar kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, një ish-zëdhënës i regjimit të Millosheviqit, i ka mbajtur me shpresë se do të bëjë çmos për t’i nxjerrë nga vitet e 90-a, ku ka ngecur ora e zhvillimit të asaj pjese. Por, Vuçiq vetëm ka shfrytëzuar nacionalizmin për më shumë vota në zgjedhjet republikane në Serbi.

Ngjashëm si serbët e Kosovës, me kartën e nacionalizmit jemi mashtruar edhe ne shqiptarët nga politikanët mashtrues për këto 17 vjet pas luftës. Kemi votuar vazhdimisht ata që janë trumbetuar si kontribuues e udhëheqës të luftës kundër Serbisë.

Tash, 17 vjet pas luftës e kemi fatin e njëjtë – ne dhe serbët e pjesës veriore të Kosovës. Duhet të jemi spektatorë të matjes së muskujve të politikanëve në cirkun disa javor të murit të ndërtuar afër urës që ndan Mitrovicën.

Ai mur u rrënua sot. Një pak më i shkurtër pritet të zhvendoset disa metra më larg, bazuar në deklarat e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Pas rrënimit të murit, në të dy anët do të shpallen fitoret. Thaçi do t’ia atribuojë vetes këtë “triumf lufte”, e ngjashëm do të veprojë edhe “homologu” i tij, Aleksandar Vuçiq, i cili do ta vlerësoj si sukses rrënimin e murit disa metra më larg.

Por, çfarë të mirash do të sjellë për ne banorët shqiptarë të Kosovës dhe ata serbë shpallja e fitoreve nga politikanët, e cila, më gjasë do të bëhet sot pasdite?

Asgjë!

Do të vazhdojmë të jetojmë në një shtet që të rinjve ua ka shuar edhe shpresat për punësim. Shumë më të pashpresë sesa ne shqiptarët janë serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Në një vend ku për shumicën e njerëzve është e shuar edhe shpresa për punësim, nuk mbesin më hapësira për të rinjtë që ta ëndërrojnë veten si sportistë, këngëtarë, arkitektë apo diplomatë të suksesshëm.

Ne, banorët e këtij shteti, do të vazhdojmë të jetojmë të varfër edhe pas rrënimit të murit. Do të vazhdojmë të mashtrohemi nga retorika mashtruese e politikanëve tanë.

Më keq se ne, serbët e zakonshëm të veriut do të vazhdojnë të mashtrohen nga dy grupe politikanësh mashtrues perfid. Ata janë më për keqardhje sesa ne!