“I kemi deputetët besnikë”

“I kemi deputetët besnikë”

Në kohën kur po flitet për kontrabandim të deputetëve për formimin e mundshëm të Qeverisë, partia e Behgjet Pacollit thotë se nuk i frikësohet kësaj çështjeje.

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka thënë se deputetët e tyre të cilët i kanë fituar votat për të qenë pjesë e Kuvendit, janë besnik në qëndrimet e tyre.

Sipas Bahtirit, deputetët e AKR-së do ta respektojnë qëndrimin e kryesisë së partisë, por edhe të koalicionit.

“Unë nuk shoh asnjë rrezik, sepse deputetët tanë të cilët kanë fituar, janë shumë të vendosur të mbajnë fjalën ashtu siç kanë vendosë organet e partisë”, ka thënë Bahtiri për Gazetën Insajderi.

Ai ka thënë se nuk do të pranojnë të diskutojnë me PDK-së për themelimin e Qeverisë. Megjithatë, ai ka thënë se ende nuk kanë pasur asnjë ofertë zyrtare nga koalicioni PAN.

“Nuk kemi pasur asnjë ofertë zyrtare. Ne jemi në një koalicion dhe do t’i shkojmë deri në fund. Po presin certifikimin e rezultateve”, ka shtuar ai.

Përpjekja, sipas Bahtirit, është që gjendet zgjidhja pa PDK-në.

“Ne do të bëjmë përpjekje që të gjejmë zgjidhje në aspektin jashtë PDK-së, por cila zgjidhje është më e pranueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, ne do të jemi aty. Me PDK-në jo dhe kjo është e prerë”, ka thënë ndër tjera Bahtiri./Insajderi.com