Kelmendi dyshon se zyrtarët e Vetëvendosjes kontrollohen nga Serbia

Kelmendi dyshon se zyrtarët e Vetëvendosjes kontrollohen nga Serbia

Kreu i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi thotë se nëse ndokush në Kosovë financohet dhe kontrollohet nga Serbia, atëherë ata mund të jenë drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Reagimi i Kelmendit vjen pasi një zyrtar i VV-së, të hënën, tha se disa hoxhallarë që kanë ushtruar funksionin e tyre në Kosovë janë financuar nga shteti serb.

“Ju në kohë zgjedhje, u bëtë edhe imam edhe hoxhallarë duke na treguar edhe moshën se kur duhet të mbulohen vajzat”, thotë kreu i partisë Fjala.

Kelmendi ka akuzuar për shpifje dhe ofendime zyrtarët e Vetëvendosjes, duke thënë se “ofendimet e VV-së” janë të rënda edhe për faktin se ato po bëhen për festën e Bajramit të Madh.

“Zyrtari për marrëdhënie me jashtë i Vetëvendosjes Boiken Abazi, ka thënë se disa hoxhallarë janë financuar dhe kontrolluar nga Serbia. Ky është ofendimi dhe shpifja e dytë me rradhë brenda dy ditëve që vie nga zyrtarët e Vetëvendosjes drejtuar muslimanëve të Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

VV-ja është e kontrolluar nga Serbia, thotë Kelmendi për një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Juve shpifësa dhe ofendues nga Vetëvendosja, juve që në zemrat juaja keni urrejtje dhe ideologji të rrezikshme, hoxhallarët as nuk janë financuar dhe as nuk janë kontrolluar nga Serbia. Nëse dikush nga ju është financuar dhe kontrolluar nga Serbia, nuk domethënë që edhe të tjerët bëjnë si ju”, thotë Kelmendi. /Insajderi.com