Kelmendi akuzon Ukë Rugovën se ia falsifikoi vulat për viza

Kelmendi akuzon Ukë Rugovën se ia falsifikoi vulat për viza

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka akuzuar ish-deputetin Ukë Rugova, se ka falsifikuar vulat e kompanisë së tij, Elkos, me qëllim që t’ia lehtësonte njerëzve marrjen e vizave Shengen.

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Kelmendi thotë se  për një gjë të tillë është i njoftuar edhe EULEX-i.

“Uka ka bërë veprime antiligjore duke përdorur edhe dokumentacionin e kompanisë sime si të besueshme për marrjen e vizave në Ambasadën italiane”, ka thënë ai.

Ndaj Ukë Rugovës dhe një numri personash është ngritur aktakuzë për vepra të rënda kriminale pas një hetimi ndërkombëtar që ka zgjatur rreth dy vite. Anëtarët e grupit të udhëhequr nga Ukë Rugova akuzohen se me qëllim të përfitimit material në mënyrë të paligjshme kanë furnizuar  individë me viza Shengen të BE-së nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Tutje, Kelmendi thotë se njerëzit që kanë paguar për këto viza janë paraqitur si punëtorë të Elkosit, gjoja po bëjnë udhëtime zyrtare.

“Elkos-in e ka përdorur, të gjitha vulat e falsifikuara, nënshkrimet, emërimet dhe vendimet e ndryshme të departamentit juridik i ka nënshkruar Ukë Rugova, dhe i ka prezantuar në Ambasadë. Dhe i ka prezantuar si punëtorë të ELKOS-it dhe ata kanë marrë viza në emër të ELKOS-it duke shkuar në vizita zyrtare”, ka sqaruar Kelmendi.

për më tepër, sipas tij, një veprim i Rugovës e ka dëmtuar kompaninë e tij, pasi që punëotërve të vërtetë u është refuzuar viza më pastaj.

“Vula mund të shtypën gjithkund jashtë Kosovës me 20 euro, e kopjon dhe atë e përdorë sa herë duash. Emrat e punëtorëve zyrtarë të ELKOS-it që iu është nevojitur me udhëtua jashtë vendit iu është refuzuar kërkesa për vizë pikërisht për shkak të mashtrimit të Ukës”, ka treguar ai./Insajderi.com