KEDS: Nuk i komentojmë protestat e ish-punëtorëve, rasti është në gjyq

KEDS: Nuk i komentojmë protestat e ish-punëtorëve, rasti është në gjyq

KEDS ka bërë të ditur se nuk i komenton protestat e ish-punëtorëve të saj, të cilët sot protestuan para zyrave qendrore të kësaj kompanie.

“KEDS përmbahet që të komentojnë rreth këtyre shqetësimeve pasi që kjo çështje është në gjykatë dhe ne në asnjë rrethanë nuk ia lejojmë vetes të ndikojmë në këtë proces”, thuhet në njoftim.

“Si rast që ndodhë në çdo kompani të madhe që i nënshtrohet zhvillimeve teknologjike, po ashtu edhe atyre strukturore, rezulton që ndonjëherë pozita të caktuara brenda kompanisë të bëhen të tepërta. Ky ishte rasti edhe kur kemi mbyllur një departament të tërë, i cila në situatën aktuale nuk është më i nevojshëm si pjesë e operimeve tona”, thuhet më tej aty.

“Duke qenë një kompani e përgjegjshme dhe duke treguar ndjeshmërinë tonë për ish-punonjësit e afektuar, ne kemi përgatitur dhe ofruar paketa financiare, si dhe asistencë të trajnimit deri në një vit”, vazhdon njoftimi i KEDS-it.

Kjo kompani thotë se kanë qenë të hapur për të diskutuar me sindikatën e punëtorëve që të sigurohet një tranzicion sa më i butë të jetë e mundur.

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha subjekteve të përmbahen nga dhënia e deklaratave për një rast që nuk është vendosur ende në gjyq, sepse kjo, jo vetëm që dëmton çështjen vetë, por gjithashtu dërgon një mesazh të gabuar tek ish-punonjësit”, përfundon njoftimi për media i KEDS-it.

Për më tepër, punëtorët e larguar nga KEDS-i, të përkrahur nga Federata e Sindikatave të Pavarura “EelektroKosova -FSPE”, sot kanë protestuar para zyrave qendrore të kësaj kompanie, duke kërkuar zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Inspektoratit të punës për kthimin e tyre në punë./Insajderi.com