KB Rahoveci ultimatum qeverisë për përfundimin e ndërtimeve në palestër

KB Rahoveci ultimatum qeverisë për përfundimin e ndërtimeve në palestër

Klubi i Basketbollit Rahoveci u ka bërë thirrje Ministrive të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe asaj të Financave që të përshpejtojnë procedurat për finalizimin e palestrës së sporteve në Rahovec, e cila ka filluar të ndërtohet 10 vjet më parë.

Përmes një komunikate për medie, KB Rahoveci i ka vënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që të finalizohet palestra brenda katër muajsh, njofton Insajderi. Ata kanë thënë se në të kundërtën do të tërhiqen nga garat.

Klubi i Basketbollit Rahoveci bën gara në Superligën e Kosovës në Basketboll, pasi është inkuadruar në elitë këtë edicion.

“Mundi i gjithë gjeneratave që kanë sakrifikuara shumë që qyteti dhe klubi ynë të arrij në këto nivele mund të marr fund në rast ju të nderuar ministra, nuk përdorni autoritetin tuaj që të përshpejtoni procedurat për përfundimin e palestrës brenda katër muajve të ardhshme”, shkruhet në njoftim.

Klubi nga Rahoveci është shprehur i zhgënjyer me qeverinë dhe neglizhencën e saj në ndërtimin e palestrës së sporteve.

“KB Rahoveci po e përmbyll sezonin e parë historik në Superligë ndërsa në rrethana të jashtëzakonshme me shumë probleme për sigurim të palestrës për të zhvilluar ndeshjet ka arritur që të siguroi vend edhe për sezonin e ardhshëm në Superligë”, njofton KB Rahoveci.

“Duam të ju njoftojmë që KB Rahoveci përveç skuadrës seniore ka të angazhuar edhe katër gjenerata të grup moshave U12,U14,U16 dhe U18 ndërsa se fundmi ka marrë vendim që të hap edhe një shkollë të basketbollit”, thuhet në reagim.

Sipas KB Rahovecit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala dhe ai i Financave, Avdullah Hoti kishin dhënë premtime që punimet në palestrën e sporteve do të përfundonin në fund të vitit 2016.

“Të nderuar ministra, kërkesa jonë bazohet në premtimet e vazhdueshme të juaja qoftë përmes deklarimeve apo edhe vizitave në Rahovec dhe premtimeve se palestra do të përfundohet fillimisht është thënë në vitin 2016 pastaj në fillim të vitit 2017, ndërsa jemi në muajin e tretë dhe nuk ka as sinjale se mund të ndodh një gjë e tillë”, ka thënë klubi nga Rahoveci.

 

Bordi i KB Rahovecit ka bërë të ditur nëse nuk hapen procedurat e punimeve dhe nuk ka sinjale se palestra do të jetë gati për edicionin e ri qe fillon në tetor, atëherë do të shqyrtojë mundësinë e mos vazhdimit të garave në rrethana aktuale.

Ministri Kujtim Shala kishte vizituar palestrën e sporteve në Rahovec në muajin dhjetor të vitit 2015, derisa kishte premtuar që punimet në palestër do të përfundonin në fund të vitit 2016. /Insajderi.com