Katy Perry: Jam mësuar të lutem kundër homoseksualëve

Katy Perry: Jam mësuar të lutem kundër homoseksualëve

Katy Perry ka rrëfyer se është rritur si e krishterë, teksa i kanë mësuar të “lutet për mos ekzistencën e homoseksualëve në kampet jezuite”, por këtë e ka bërë teksa pranonte një vlerësim për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

Ylli 32-vjeçar i popit mbajti një fjalim emocionues teksa mbante në duar trofeun e “Çmimit Kombëtar për Barazi” në galanë e Fushatës së të Drejtave të Njeriut për vitin 2017, të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Los Angeles, shkruan “The Guardian”.

Perry iu referua hitit të saj “I Kissed a Girl”, teksa e përshkruante veten si “thjesht një këngëtare dhe kantautore”.

“Flas për të vërtetat e mia dhe pikturoj fantazitë e mia në këto këngë disi provokuese. Si për shembull, putha një vajzë dhe më pëlqeu”, wshtw shprehur ajo.

Kënga e saj u sulmua ashpër si diçka kontroverse në vitin 2008 kur u publikua, madje u tha se poshtëronte njerëzit homoseksualë, veçanërisht nëse merr në konsideratë bujën që bëri “single” i saj i parë “UR So Gay: and you don’t even like boys”.

Megjithatë, Perry la të nënkuptohej gjatë natës së të shtunës se gjithçka është e bazuar në eksperiencën e saj të përjetuar.

“Të them të vërtetën, kam bërë më shumë sesa kaq. Por si mund të pajtohesha unë me atë vajzën ungjillore këngëtare, të rritur në grupet e të rinjve që ishin kampe pro konvertimit? Ajo që dija unë ishte se kisha kuriozitet, edhe pse që në atë kohë e dija se seksualiteti nuk ishte thjesht një çështje bardhezi. Të jem e sinqertë, nuk kam pasur të drejtë gjithmonë, por në vitin 2008 kur doli ajo këngë, e dija se sapo kisha nisur një bisedë, për të cilën shumë vetë në botë ishin kuriozë të dëgjonin”.

Aktivitetet e fundit të saj në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBT, përfshi këtu edhe fushatën pro Hillary Clintonit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, e kanë bërë atë që të nderohet me “Çmimin Kombëtar të Barazisë” nga “HRC” më 18 mars.

Presidenti i “HRC”, Chad Griffin tha përmes një deklarate se Perry kishte shfrytëzuar “zërin e saj të fuqishëm dhe arenën ndërkombëtare për të folur për barazinë e LGBT-së”.

“Mbrojtja bindëse e saj, nga skena e deri në fushatën presidenciale, ka pasur efekte të thella mbi jetët e njerëzve të këtij komuniteti, e veçanërisht për të rinjtë. Mesazhi i Katy për gjithëpërfshirje dhe barazi vazhdon të na frymëzojë neve por edhe botën”, shtoi ai.

Edukimi fetar i Perryt është i njohur, pasi të dy prindërit e saj janë pastorë protestantë. Në vitin 2001, përpara arritjes së suksesit në rrymën pop, ajo publikoi një koleksion këngësh ungjillore nën emrin Katy Hudson.