Katër opsionet e FFK-së për përzgjedhësin e ri – rrëfimi i Fadil Vokrrit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri tregon se janë katër opsione të trajnerëve me të cilët federata është duke biseduar. Në një bisedë me Gazetën Online Insajderi, Fadil Vokrri nuk dëshiroi t'i konfirmonte emrat e trajnerëve në fjalë. 

Katër opsionet e FFK-së për përzgjedhësin e ri – rrëfimi i Fadil Vokrrit

Fadil Vokrri nuk dëshiron të ngutet për përzgjedhjen e trajnerit të ri të kombëtares së Kosovës. “Nuk kemi asgjë [konkrete v.j]. Jemi në përspektim e sipër të disa trajnerëve”.

Por, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) tregon se janë katër opsione të trajnerëve me të cilët federata është duke biseduar. Në një bisedë me Gazetën Online Insajderi, Fadil Vokrri nuk dëshiroi t’i konfirmonte emrat e trajnerëve në fjalë.

“Janë katër opsione të trajnerëve me të cilët jemi në bisedime e sipër. Jemi duke i analizuar”, i tha Vokrri, Insajderit, përmes një bisede telefonike.

Ai precizoi se janë katër shtete nga mund të vijë potencialisht trajneri i ardhshëm i përfaqësueses. “Katër opsione janë [për selektorin e ri]: gjerman, zviceran, francez ose i rajonit”.

Në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Letonisë, në muajin nëntor, kombëtarja kosovare u drejtua nga Muharrem Sahiti – ndihmësi i ish-selektorit Albert Bunjaki, cili u shkarkua nga pozita pas përmbylljes së ciklit të parë kualifikues të Kosovës për Kupën e Botës.

E deri tek termini i ardhshëm i FIFA-s për ndeshjet e kombëtareve, në muajin mars, Kosova do ta ketë të emëruar selektorin e ri. Kështu thotë kreu i FFK-së, i cili thotë se federata nuk do të ngutet për zgjedhjen e personit adekuat për stolin e Kosovës.

“Pritet që më së largu në fillim të vitit të ardhshëm [të emërohet trajneri i ri v.j], sepse ne nuk kemi aktivitet për një periudhë të gjatë. Para muajit mars do të bëhet emërimi. Nuk jemi duke u ngutur sepse kemi kohë”, deklaroi Fadil Vokrri, për Insajderin.

Ai hedh poshtë idenë e emërimit në bankinën e Kosovës të ish-trajnerit të kombëtares shqiptare Gianni De Biasi, i cili më parë e kishte lënë të hapur mundësinë që ta drejtonte Kosovën “një ditë”. Por, Vokrri mbyll derën për teknikun italian, me pasaportë shqiptare.

Vokrri ia mbyll derën De Biasit: Jo, nuk vjen te Kosova

“Jo, nuk ka mundësi që De Biasi të jetë trajner i Kosovës”, shprehet Vokrri. “Ai ka qenë deri dje në Alaves, ne jemi në forma të avancuara dhe kemi bërë takime dhe analiza me disa trajnerë. Ajo [çështja e De Biasit v.j] është ad-hoc për ne”.

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, i cili së fundmi drejtoi Alavesin, ditën e djeshme është shkarkuar nga klubi spanjoll. Deportivo Alaves shkarkoi De Biasin shkaku i rezultateve të dobëta – pas 8 ndeshjeve në drejtim të klubit. /Insajderi.com