Katër ditë pas vdekjeve të dyshimta, Haradinaj thotë se “QKUK po bën punë heroike”

Katër ditë pas vdekjeve të dyshimta, Haradinaj thotë se “QKUK po bën punë heroike”

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj, njoftoi sot për tri vdekje të dyshimta që ndodhën të enjtën e 7 shtatorit në QKUK. Për këto tri vdekje që ndodhën katër ditë më parë, në QKUK ende nuk i dinë shkaqet.

Por, për këto vështirësi me të cilat po ballafaqohet Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) duket se nuk është i informuar kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj. Shefi i ri i qeverisë vizitoi sot QKUK-në dhe lavdëroi stafin për, siç tha ai, “punën e vërtetë heroike” që po e bëjnë.

Haradinaj, vizitën e parë si kryeministër zgjodhi ta realizonte në QKUK.

Haradinaj u shoqërua edhe nga zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, të cilët janë pritur nga drejtori i Emergjencës Basri Lenjani, dhe drejtori i ShSKUK-së, Curr Gjocaj.

“Falënderoj personelin mjekësor në të gjitha nivelet për një punë vërtet heroike dhe që gjithë kohën jeni në presion dhe në vështirësi. Së dyti u them se nuk do t’ju lëmë vetëm, pra dua të jem me ju që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Gjocaj tha se me kryeministrin Haradinaj në krye shëndetësia do të jetë prioritet.

“Për hir të së vërtetës deri më tani kemi marrë mbështetje kryesisht me fjalë, por shpresojmë se vërtet shëndetësia do të jetë prioritet i qeverisjes tuaj. Besojmë se do t’ia dalim në krye që të ofrojmë më të mirën e mundshme për pacientët tanë”, tha drejtori Gjocaj.

Tri vdekje të dyshimta në QKUK brenda një dite

Insajderi raportoi sot se vetëm ditën e enjte kanë ndërruar jetë tre persona që po operoheshin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), derisa arsyet për këto humbje të jetëve ende janë të paqarta.

 

Shkaqet që dërguan në këto tri humbje të jetëve në QKUK të enjten ende nuk dihen. Drejtori Gjocaj u shpreh se në QKUK ende janë duke bërë verifikime për të gjetur arsyet. Gjocaj tha se “ka mundur të ndodhë gjithçka”.

“Ne kemi bërë verifikimet se nga ka mundur të jetë fajtori. Kemi shikuar oksigjenimin e klinikave dhe nuk kemi gjetur që ka pasur diçka të parregullt. Kemi shikuar sistemin e anestizionimit dhe as aty nuk ka diçka jo të rregullt”, ka thënë Gjocaj për Insajderin. /Insajderi.com