“Kapiteni” i harruar i Kosovës që tani po luan me dy ish-futbollistët e Arsenalit

“Kapiteni” i harruar i Kosovës që tani po luan me dy ish-futbollistët e Arsenalit

Anel Rashkaj ishte vetëm 20 vjeç kur debutoi me përfaqësuesen e Kosovës. Në ndeshjen miqësore jo-ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të zhvilluar më 17 shkurt të vitit 2010 kishte rënë në sy loja e djaloshit nga Prizreni.

Që prej asaj kohe e deri tek pranimi i zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të Kosovës nga UEFA, në ndeshjen ndaj Haitit, Rashkaj ishte emëruar kapiten i skuadrës përfaqësuese të Kosovës.

Por, që prej pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA në maj të vitit të kaluar, 27-vjeçari nga Prizreni nuk ka bërë pjesë në listën e të grumbulluarve të trajnerit Albert Bunjaki. Nga kapiten, ai u kthye në një të harruar.

Megjithatë edhe forma e futbollistit kosovar gjatë dy viteve të fundit nuk ka qenë në nivelet e pritura. Vitin e kaluar Rashkaj ka luajtur me skuadrën pak të njohur norvegjeze Sadnes Ulf në kategorinë e dytë norvegjeze.

E që nga dhjetori i vitit të kaluar ish-kapiteni i Kosovës është bërë pjesë e skuadrës suedeze AFC Eskilstuna, e cila bën gara në kategorinë e parë të Suedisë.

Në këtë fillim kampionati, Rashkaj ka zhvilluar 260 minuta të plota në tri ndeshjet e para të kampionatit me AFC Eskilstunan. Ai është njëri nga futbollistët kryesor të skuadrës së tij.

Në të njëjtin skuadër me ish-futbollistin e Sadnes Ulf luajnë edhe dy ish-futbollistë të 13 herë kampionit të Anglisë, Arsenalit. Emmanuel Frimpong, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së parë të Arsenalit në vitin 2012 – madje kishte luajtur edhe në Ligën e Kampionëve me londinezët, – është bashkëlojtar i Rashkajt.

Në të njëjtën skuadër me Rashkajn luan edhe mbrojtësi i majtë anglez, Jernade Meade, ish-futbollist i Arsenalit dhe Swanseat.

Pas tri ndeshje të zhvilluara, EFC Eskilstuna ka dy barazime dhe një humbje, raporton Insajderi.

Me mungesën e Herolind Shalës për ndeshjen që Kosova do ta zhvillojë ndaj Turqisë më 11 qershor, Rashkaj është një nga alternativat për zëvendësimin e futbollistit me origjinë nga Drenasi. /Insajderi.com