Kapet sulmuesi në klubin e natës në Stamboll

Kapet sulmuesi në klubin e natës në Stamboll

Policia turke ka arrestuar personin që dyshohet se natën e Vitit të Ri vrau 39 persona në një lokal nate të Stambollit.

I dyshuari që sipas gazetës turke, Hurriyet është shtetas uzbek, është kapur nga policia gjatë bastisjes së një shtëpie që është pronë e një miku të të dyshuarit nga Kirgizia, raporton televizioni NTV. Sipas të njëjtit raport, i dyshuari është munduat t’i rezistojë arrestimit.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e sulmit, duke thënë se kjo ishte hakmarrje për përfshirjen e ushtrisë turke në Siri.

Hurriyet dhe media të tjera e kanë identifikuar të dyshuarin të jetë shtetasi uzbek, Abdulkadir Masharipov. Mediat raportojnë se djali 4 vjeçar i personit në fjalë ka qenë me të gjatë bastisjes, dhe së paku 4 persona të tjerë, përfshirë edhe një me origjinë nga Kirgizia, gjithashtu janë paraburgosur.

NTV raporton se policia e ka ditur lokacionin ku fshihej Masharipov që 4 apo 5 ditë, por ata nuk kanë ndërhyrë menjëherë me qëllim të monitorojnë lëvizjet dhe kontaktet e tij.

Policia e ka publikuar edhe një fotografi, që besohet se është e të dyshuarit, ku shihet një burrë me njolla gjaku në bluzën e tij, si dhe të prera dhe mavijosje në fytyrë.

Natën e Vitit të Ri, sulmuesi ka hyrë në lokalin e natës, Reina, dhe ka shtënë ndaj të pranishmëve me pushkë automatike. Sipas autoriteteve, ai e ka rimbushur armën e tij së paku gjashtë herë, duke shtënë mbi të plagosurit derisa ata kanë qenë të shtrirë në tokë.

Në mesin e viktimave në klubin Reina kishte shtetas të Libanit, Francës, Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Agjencitë e lajmeve duke cituar burimet e sigurisë, shkruajnë se më 17 janar ka pasur edhe operacione tjera që po vazhdojnë kundër celulave terroriste.

Prej mesit të vitit 2015, grupi Shteti Islamik fajësohet për së paku gjashtë sulme të tjera të mëdha në Turqi, përfshirë edhe atë ndaj një marshi paqësor në tetor të vitit 2015 ku u vranë mbi 100 persona në Ankara.

Sipas BBC-së, këto janë sulmet në Turqi për të cilën fajësohet grupi militant, Shteti Islamik (IS).

20 gusht 2016: sulmi me bombë në Gaziantep vret së paku 30 njerëz, përgjegjësinë e merr IS-i

28 qershor 2016: Një sulm me armë zjarri dhe me bombë në aeroportin Ataturk të Stambollit vret 41 njerëz, sulmi raportohet se u krye nga militantët e IS-it

19 mars 2016: Sulmuesi vetëvrasës me bombë vret katër persona në një lagje të Stambollit, IS-i mbahet fajtor.

12 janar 2016: 12 gjermanë janë vrarë nga një sulmues me bombë të IS-it në një zonë turistike në Stamboll

10 tetor 2015: Mbi 100 njerëz janë vrarë gjatë një marshi paqësor afër stacionit të trenit në Ankara; përgjegjës mbahet IS-i

20 korrik 2015: 34 njerëz janë vrarë gjatë një sulmi me bombë në Suruc, afër kufirit me Sirinë; IS-i mbahet fajtor.