Kapet në Mal të Zi Predrag Vukojeviq, i dyshuar për masakrën e Qyshkut

Kapet në Mal të Zi Predrag Vukojeviq, i dyshuar për masakrën e Qyshkut

Policia në Mal të Zi ka arrestuar Predrag Vukojeviqin, nga Shabaci (Serbi), i dyshuar për masakrën e Qyshkut të Pejës, me ç’rast pjesëtarët e formacionit paramilitar serb “Çakallët” vranë 41 shqiptarë civilë, njoftojnë mediat e Malit të Zi, transmeton Koha.net.

Zyrtarë të Drejtorisë së Policisë të MPB nga Qendra Rajonale e Policisë Kufitare “Jug” në Mal të Zi, në bashkëpunim me policinë e Tivarit, të premten ka arrestuar shtetasin e Serbisë me inicialet Predrag Vukojeviq (64) nga Shabaci, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Interpoli, raporton gazeta “Vijesti” e Podgoricës, transmeton Koha.net.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë, ndaj P.V ishte lëshuar fletarresti sepse i ishte shmangur vuajtjes së dënimit shtatë vjet burgim për shkak të veprës penale tregti me drogë dhe veprës penale vjedhje e rëndë, si dhe për arsye se duhej të zhvillohej procedura penale ndaj tij me dyshimin se ka kryer veprën penale krime lufte ndaj popullsisë civile në bashkëkryerje.

“Zyrtarët e Qendrës Rajonale të Policisë Kufitare “Jug” dhe të Policisë së Tivarit, më 20 korrik, rreth orës 16 e 30 minuta, duke vepruar në bazë të informatave me rrugë operative sipas të cilave në territorin e Komunës së Tivarit ndodhen personi i kërkohet me fletarrest të Interpolit, në vendin e quajtur Utjeha, ka kapur një person duke kryer peshkim të palejueshëm, i cili me këtë rast zyrtarëve policorë u kishte dhënë të dhëna të rreme. Gjatë përpunimit kriminalistik në Qendrën Policore të Tivairt është vërtetuar se bëhet fjalë për P.V dhe se ai kërkohej për dy arsye nga ana e Interpolit të Beogradit, për të vuajtur dënimin me burg me kohë shtatë vjet për shkak të veprës penale tregti me drogë dhe veprës penale vjedhje e rëndë, si dhe për shkak të zhvillimit të procedurës penale për dyshimet se ka kryer veprën penale krime lufte ndaj popullsisë civile në bashkëkryerje”, citon “Vijesti” njoftimin e policisë, transmeton Koha.net.

P.V. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë më 1999 ka vrarë, torturuar dhe plaçkitur civilë me përkatësi kombëtare shqiptare.

“Ai veprën penale krime lufte kundër popullatës civile e ka kryer, siç dyshohet, në periudhën midis 23 marsit të vitit 1999 dhe 20 qershorit të vitit 1999 në fshatin Qyshk, të komunës së Pejës, si një nga pjesëtarët e njësisë paramilitare “Çakallët” (Shakalli), në atë mënyrë që, siç dyshohet, ka bërë sulme ndaj popullsisë civile me kombësi shqiptare dhe ata i ka vrarë, i ka torturuar, i ka plaçkitur dhe ua ka marrë pasuritë personale me qëllim të arritjes se fitimeve të paligjshme. Me atë rast janë privuar nga jeta 41 persona”, thekson njoftimi i policisë, transmeton Koha.net raportimin e “Vjestit” të Podgoricës.

Zyrtarët e Qendrës Rajonale të Policisë Kufitare “Jug” dhe të Qendrës Policore të Tivarit kanë bërë kallëzim penal te prokurori përkatës me dyshimin se ka kryer veprën penale peshkim të kundërligjshëm dhe kallëzim për kundërvajtje te gjyqtari përkatës në Gjykatën Themelore për kundërvajtje të kryer nga Ligji mbi rendin dhe qetësinë publike.

Predrag Vukojeviq është dërguar në vuajtje të dënimit për kundërvajtjen e kryer, thekson kjo gazetë, ndërsa nuk sqaron çështjen e ekstradimit, në bazë të fletëkërkesës së Interpolit të Beogradit.