Kapet grupi i hajdutëve që po bënin kërdi në Deçan

08.06.2018 16:31
Kapet grupi i hajdutëve që po bënin kërdi në Deçan

Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor në Deçan, njofton se me qëllim të ngritjes së sigurisë në zonën e përgjegjësisë që ka, vazhdon me aktivitete të shtuara në zbatimin e ligjeve dhe në zbulimin e kryesve të veprave penale të të gjitha fushave, vjedhjeve, vjedhjeve të rënda, pastaj konfiskimin e armëve, pengimin dhe kapjen e kryesve të veprave të ndryshme penale, gjegjësisht zbatimin e autorizimeve dhe kompetencave të dhëna me ligj.

“Në kuadër të këtyre autorizimeve dhe kompetencave, në mesin e muajit maj/2018 deri në kohën që informojmë, nga Njësia e Hetimeve e stacionit policor-Deçan, në bashkëpunim me njësitë  tjera punuese, pranë stacionit policor dhe në bashkëpunim me qytetarët e Deçanit, gjatë një pune të palodhshme dhe të vazhdueshme  operative – hetimore në zbatueshmërinë e planeve operative, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë  një grup prej katër (4)  personave të dyshuar që kanë kryer këto vjedhje”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Bëhet e ditur se të njëjtit gjatë intervistimit kanë pranuar se në bashkëveprim kanë kryer këto vjedhje të motor sharrave.

Në lidhje me rastet është njoftuar prokurori kujdestar i shtetit dhe të gjitha veprimet në terren janë marrë në koordinim me të njëjtin. Nga të dyshuarit janë konfiskuar katër motor shara, një agregat dhe disa mjete teknike pune të ndërtimtarisë.

Veprat penale në total të zbuluara, e  që dyshohet se janë kryer nga ky grup personash janë gjithsejtë njëmbëdhjetë. Këto vepra penale kryesisht janë vjedhje të rënda dhe vjedhje të ndodhura në shtëpi, banesa dhe dyqane afariste të qytetarëve të Deçanit me rrethinë.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar Policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Deçanit dhe zonën në përgjithësi.

“Andaj, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen me Policinë e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.