Me Kanun a me Kushtetutë? – besa e O’Connell dhe e Haradinajt    

Pse "besa" e ambasadorit britanik edhe pse nuk ka lidhje me konceptin e besnikërisë gojore si normë shoqërore vlen më shumë sesa besa që na jep kryeministri Ramush Haradinaj i cili besën si normë "kanunore" të prapambetur të vendit të tij nuk po dëshiron ta zëvendësojë me ligjin si normë civilizuese të funksionimit të një shteti.

Me Kanun a me Kushtetutë? – besa e O’Connell dhe e Haradinajt    

Nuk e di nëse e keni vërejtur përdorimin e fjalisë “Kosova e ka dhanë besën” të cilën e ka përdorur në dy raste ambasdori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, në javët e fundit.

E para ka qenë natën e 22 dhjetorit në hollin e Kuvendit, kur 43 deputetë iniciuan në pikë të natës një seancë të jashtëzakonshme për shfuqimizimin e Gjykatës Speciale.

Ambasadori duket qartë, tepër i ngarkuar emocionalisht atë natë, teksa flet për nismën e deputetëve, dhe duke qenë se njihet si kurioz për të mësuar gjuhën shqipe dhe dramacitetit të asaj nate,  përdorimi i fjalës “besë” nga ana e tij mund të kuptohej vetëm si përdorim i një fjale tradicionale lokale, sa për ta bërë më dramatike situatën.

Por ambasadori e përdori edhe njëherë këtë shprehje, së fundmi në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.  Ai përmendi edhe diçka tjetër që lë të kuptohet se O’Connell nuk e përdorë fjalën “besa” kur thotë “Kosova ia ka dhënë besën aleatëve”, vetëm në kontekstin e “besës” sipas shpjegimit të traditës dhe mbi të gjithë Kanunit të Lekë Dukagjinit si formë e prapambetur e rregullave të shoqërisë kosovare.

Ai pasi përmendë “besën” shpjegon se “Kosova ka nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare për drejtësi”, më pas e përmend fjalën “zotim” duke thënë se “Kosova është zotuar ndërkombëtarisht se është për drejtësi”.

Në këtë mënyrë ambasadori e përdorë një fjalë kanunore për të shpjeguar virtytin e civilizuar  shoqëror që bazohet në respektimin e ligjit dhe marrëveshjes së nënshkruar, e jo në “besën”  vetëm si një marrëveshje e prapambetur gojore.

Aso lloj të “besës” që e ka dhënë kryeministri Ramush Haradinaj. Njohës i shkëlqyer i rregullave të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Kryeministri e ka përdorur shumë fjalën “besa” duke ia dhënë besën elektoratit dhe më pas të gjithë qytetarëve, sidomos gjatë fushatës teksa ka folur për një nga temat për të cilën vuajnë kosovarët: demarkacionin me Malin e Zi, ratifikimi i të cilës do ti jepte Kosovës liberalizimin e vizave.

Gjykata Speciale dhe Demarkacioni me Malin e Zi janë dy çështjet më të rëndësishme të Kosovës edhe në aspektin e politikës lokale e rajonale por mbi të gjitha në kontekstin ndërkombëtarë.

Nëse nuk ratifikohet demarkacioni dhe shfuqizohet Specialja, kosovarët rrezikojnë izolimin komplet e shteti i tyre 10 vjeç do të vihet në pikëpyetje si i njohur ndërkombëtarisht.

Haradinaj si një kundërshtar i madh i të dy marrëveshjeve, në një rast gjatë fushatës në Pejë kishte shpërthyer “Po ua dho besën se nuk ka kush e zbret kufirin poshtë Çakorit”, por kur erdhi në krye të Qeverisë ai e shkeli këtë besë. Madje nuk e pranoi por e shiti si mbajtje të besës, ende vazhdon ta aktrojë të njëjtën gjë.

Nuk është mbajtje e besës që një marrëveshje për të cilën je i bindur se është gabim, ta procedosh në të njejtën mënyrë sikurse e ka bërë qeveria e kaluar, e cila mendon se marrëveshja nuk është gabim.

Ramush Haradinaj nuk mund të thotë se po bënë diçka kundër kësaj marrëveshje teksa e procedon njejtë sikurse Qeveria e Isa Mustafës. Bashkangjitja e një raporti i cili thotë se marrëveshja është e keqe, nuk e ndryshon situatën. Sepse kur mendon se një marrëveshje është e keqe, nuk ke nevojë ta procedosh në Kuvend.

Kryeministri, në mënyrë tallëse ka dërguar Marrëveshjen për Ratifikimin e Demarkacionit bashkë me një dokument që thotë se ajo Marrëveshje nuk është e ligjshme. Si mund ta dërgosh në Kuvend, institucioni i cili miraton ligje, një marrëveshje për të cilën një raport thotë se është e paligjshme.

Siguria që Haradinaj e ka proklamuar në frazën “Marrëveshja është e paligjshme” do të duhej të reflektohet në gjetjen e një mënyre tjetër që ta shfuqizojë atë marrëveshje, meqensë ajo si e tillë është e nënshkruar nga Qeveria por që nuk vlenë pa ratifikim nga Kuvendi. E jo ta dërgojë në Kuvend.

Haradinaj me këtë veprim paradoksal dhe tallës për vendin, po e proklamon vetën si zgjidhës të temës së demarkacionit.

“Unë e kam kryer punën time, e kam proceduar në Kuvend,  tash topi është në anën e tyre”, thotë kryeminsitri në intervistat e fundit, duke i bërë presion deputetëve që të marrin një vendim për marrëveshjen.

Jo, kryeministri nuk e ka kryer asnjë punë. Ajo marrëveshje si është dërguar është një tallje me ligjin, Kushtetuten në Kosovë.

Por është një veprim tipik i një  Zoti të Shpisë në Kanunin e Lekë Dukagjinit i cili nuk ka nevojë të nënshkruaj asgjë apo të japë përgjegjësi, për atë sesi udhëheqë me shtëpinë, sesi sillet në katund apo me miqtë e armiqt, por mjaftohet me një marëveshje gojore e cila njihet si “besa”.

Kryeminsitri për dallim prej asaj kohe tepër të prapambetur kur ka funksionuar “besa”, e përdorë këtë shprehje për ta prekur ose bindur një shoqëri e cila jeton me “besën” vetëm si diçka tradicionale e cila “thyhet” në momentin e parë që hynë interesat e tjera.

Kryeministri i pasur me miliona e di se udhëheqë një popull të varfër për nga vetëdija e shoqërore e cila ende beson verbërisht në rregullat e Kanunit, tashmë vetëm në rastet kur atyre ju konvenon dhe zakonisht që kanë të bëjnë me hakmarrjen ose pasurimin, dhe me qëllim “ua jep besën” kanunore duke e ditur se nëse për asgjë tjetër do të egzistojë njëfarë respekti ndaj tij.

Haradinaj nuk frikësohet për pjesën tjetër, që e dijnë dhe janë të vetëdijshëm për qeverisjen dhe  pabesinë e kryeministrit Haradinaj por që nuk reagojnë dhe bëjnë asgjë për ta ndryshuar këtë qeverisje, për shkak se janë peng i një besimi për një ndryshim që do të ndodhë duke u shfryrë online dhe duke besuar në demokracinë e udhëhequr prej  njerëzve kanunor.

Të dy palët jetojnë në varfëri dhe të izoluar në shetin me demokraci kanunore teksa kryeministri vazhdon ta jap besën gojarisht.

Kryeministri në fakt nuk është se as jeton ose e respekton Kanunin, në të vërtetë. Ai vetëm e përdorë atë për të proklamuar vetën si një njeri të besës sepse e di se udhëheqë një shoqëri të varfër qytetarisht e cila nuk është as në fillet e civilizimit intelektual që kanë njohur tashmë shoqëritë e shumicës së vendeve në botë.

Andaj është e pafalshme që të vazhdohet t’i besohet besës së Haradinajt i cili na jep besën gojarisht, sepse ende asgjë nuk ka të nënshkruar ose që bazohet në ligj e që e zgjidhë cështjen e demarkacionit.

Duhet besuar më shumë besës së ambasadorit O’Connell i cili se ka as një ide e as një respekt për rregullat e Kanunit por e përdorë një fjalë kanunore për të shpjeguar fuqinë që duhet të ketë ligji e Kushtetuta në një shtet. Në një shoqëri të civilizuar. Asgjë më shumë.

Mbajtja e “besës” në stilin e Haradinajt është izolimi i vazhdueshëm dhe rrënim i shtetin ndërsa mbajtja e “besës” në stilin e O’Connell është lëvizje e lirë dhe ngritje e shtetit.

Shumë e thjeshtë dhe e qartë. Me Kanun a me Kushtetutë?