“I kanë ofertat në zyrat e tyre” – Pacolli i dërgon sinjale VV-së e LDK-së

06.11.2017 18:13
“I kanë ofertat në zyrat e tyre” – Pacolli i dërgon sinjale VV-së e LDK-së

Selim Pacolli thotë se është takuar vetëm nga një herë më Arban Abrashin dhe Shpend Ahmetin, ndërsa me asnjërin nuk është më afër marrëveshjes se sa me palën tjetër, e thotë se do të shkojë me atë që ia merr më shumë parasysh programin e tij.

Ai tregon se deri më tani nuk ka pasur negociata të nivelit të lartë të partive për marrëveshje, edhe pse vëllai i tij, Rrahim Pacolli, kishte publikuar fotografi me Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun.

“Ka pasë bisedime, nivelet sekondare ta partisë, mirëpo unë e kam ndërmend me i finalizu bisedat me ta sepse nuk dua ta mbajë vetën peng”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se bisedime do t’i quajë ato në momentin që ulen në zyre me palët dhe diskutojnë për programim më të përshtatshëm.

“Bisedime i quajmë në momentin që ulemi në zyre dhe flasim për koncepte të programit”, është shprehur ai.

Për garën në Prishtinë, Pacolli përveçse nuk shpreh ndonjë anim, ai thotë se kushdo që dëshiron marrëveshje, duhet të pranojë kushtet e tij.

“Kujt ia merr mendja që implementohet programi im, i ka ofertat në zyre”, thotë kandidati i AKR-së që doli i treti në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai tha brenda pak ditësh do të finalizojë ndonjë marrëveshje dhe do të dalë me një qëndrim, shkruan Gazeta Express.

Pacolli tregon se nuk po zhvillon negociatat me ndonjërin nga kandidatët, duke treguar se edhe me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes dhe Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike të Kosovës është takuar vetëm nga një herë.