Kandidati për president të Serbisë: I kemi lënë serbët në mëshirën e Thaçit

Kandidati për president të Serbisë: I kemi lënë serbët në mëshirën e Thaçit

Kandidati presidencial nga Partia Demokratike e Serbisë, Aleksandar Popoviq, tha që nëse fiton zgjedhjet do të mundohet që deri në përfundim të mandatit Serbinë ta bëj shtet neutral politik.

Në një intervistë parazgjedhore me BETA, Popoviq tha që qytetarët e Serbisë do të ishin “pakrahasueshmërisht më mirë duke jetuar” nëse do të ndalohej “politika pakuptim e integrimit në Evropë”.

Nëse zgjidhet president, hapi i parë formal do të jetë largimi i flamurit të BE-së nga ndërtesa presidenciale e Serbisë.

“Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe shpresoj që nuk do të jetë asnjëherë,” tha Popoviç dhe shtoi që për flamurin serb njerëzit kanë vdekur, ndërsa për “flamurin pakuptim të kaltër me yje të verdha, askush nuk e di domethënien e tij.”

Popoviq tha që do të inicionte bisedimet për shkëputjen e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim me BE-në. Dhe qasjen e Brukselit e quajti diktaturë, dhe se Serbia duhej të “lirohet nga NATO dhe diktatura e Brukselit dhe përfaqësuesit të Brukselit.”

Për Kosovën tha që, që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit, Serbia e ka “fshirë me gomë” këtë pjesë dhe ka lënë Serbët e Kosovës “në mëshirë të Hashim Thaçit.”

“Duhet ti rikthejmë institucionet serbe në Kosovë. Duhet të jetë në çdo vend një pasqyrim i politikave që nuk pajtohemi me politikat e shteteve të tjera të cilat e kanë njohur pavarësinë e të ashtuquajturës Republikë e Kosovës,” tha Popoviq.

Sipas tij duhet të kthehen institucionet serbe në Kosovë dhe fuqizimi ekonomik nga ana e tyre në mënyrë që të mbrohen serbët në Kosovë. /Insajderi.com