Kandidati i LDK-së në Obiliq po hetohet për tenderë të rrugëve dhe kanalizimeve

21.08.2017 15:23
Kandidati i LDK-së në Obiliq po hetohet për tenderë të rrugëve dhe kanalizimeve

Ish-kryetari i Obiliqit, Mehmet Krasniqi, që deri në maj të këtij viti akuzohej për keqpërdorimin të autoritetit zyrtar dhe “mashtrimi në detyrë”, do të kandidojë sërish për LDK-në, për një mandat të ri në këtë komunë, katër vite pasi humbi detyrën në zgjedhjet e 2013-s nga Xhafer Gashi i AAK-së.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për lirimin e Krasniqit nga akuzat, është dërguar në Apel nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në fund të korrikut. Por, i njëjti së fundi po hetohet nga Policia e Krimeve Ekonomike në Prishtinë për tenderë tjerë në shtrimin e dy rrugëve dhe ndërtimin e kanalizimeve në disa fshatra të Obiliqit.

“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim” dhe “Mashtrimi në detyrë”, kanë qenë akuzat për vepra penale për të cilat deri më 19 maj 2017 akuzohej ish-kryetari i Obiliqit, Mehmet Krasniqi, dhe 13 persona të tjerë, pjesa më e madhe ish-zyrtarë të administratës komunale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale pretendonte se 250 metra asfaltim të rrugës së fshatit Breznicë, që lidhin fshatin me lagjen “Koskovik” të Obiliqit, ishin punuar pa ndonjë marrëveshje apo tender.

Sipas prokurorit special, kryetari i atëhershëm i kësaj Komune, Mehmet Krasniqi, dyshohej se kishte përdorur autoritetin e tij zyrtar dhe ishte marrë vesh jashtëligjshëm me një kompani, që prillin e vitit 2013 të kryente punime në këtë rrugë, ndërkohë një tjetër kompani, me tender të lëshuar nga Komuna e Obiliqit, po asfaltonte 1650 metra të tjerë të kësaj rruge.

Krejt kjo kishte ndodhur vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale të vitit 2013, të cilat Krasniqi i LDK-së i humbi nga kryetari i aktual, Xhafar Gashi i AAK-së. Të dy, sërish pritet që në zgjedhjet komunale të 22 tetorit të këtij viti të garojnë përballë njëri-tjetrit. I pari për ta kthyer komunën e humbur, ndërsa Gashi për mandatin e dytë.

Megjithatë, akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim ndaj ish-kryetarit Krasniqi dhe 8 të dyshuarve tjerë, shumica drejtorë dhe zyrtarë të tjerë komunalë, u hodhën poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, vetëm disa javë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, u dënuan vetëm 5 drejtues dhe përfaqësues të kompanive private të cilat kishin përfituar dobi nga shtrimi i rrugës në fjalë. Dy prej tyre u dënuan më së shumti me dy vite burgim joefektiv dhe me gjoba që varionin nga 3000 deri në 4000 euro vlerë.

E prokurori special ka apeluar këtë vendim, duke kërkuar që Gjykata e Apelit ta anulojë ose ta ndryshojë vendimin e Themelores, pasi sipas prokurorit të shtetit ka mjaftueshëm prova që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale që ish-ngarkuar në maj të këtij viti.

Në arsyetimin e tij, prokurori tregon sesi gjatë procesit gjyqësorë, gjykata ka liruar nga akuzat të gjithë zyrtarët komunal, përfshirë edhe ish-kryetari e Obiliqit, Mehmet Krasniqin, derisa ka dënuar disa nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë që kanë përfituar jashtëligjshëm nga tenderët e Komunës, duke kryer veprën penale të mashtrimit.

Po ashtu, Prokurori në apelimin e tij përmend se si njëri prej të akuzuarve, kishte pranuar shkeljet në detyrë por ishte shpallur i pafajshëm.

 

“I akuzuari Haki Raqi me rastin e caktimit si Menaxher i Projektit “Vazhdimi i Asfaltimit të Rrugës në Brezic-Lagja Koskovi” e ka ditur se 250 metra rrugë në Lagjen Koskovik ishin punuar/kryer jashtë kontratës, dhe i njëjti pranon që këto 2050 metra të pranohen zyrtarisht në kuadër të projektit tjetër në të cilin ky ishte caktuar si menaxher i projektit”, arsyeton pretendimet e veta Prokuroria Speciale në ankesën e 28 korrikut 2017.

Haki Raqi, si zyrtar i Komunës së Obliqit, në janar të 2016 ishte dënuar me 5 muaj dënim me burg dhe 2500 euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në një tjetër rast gjyqësorë bashkë më dy zyrtarë tjerë komunal.

“Konsiderojmë se nuk bëhet fjalë për mungesë të provave, por për zbatim të gabuar të ligjit ngase tek të njëjtët paraqiten të gjitha elementet e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrimi në Detyrë”, ngase ata me dashje direkte ndërmorën veprimet e tyre”, ia sqaron Apelit pretendimet e tija prokurorit i shtetit Agron Bajrami.

Por, kandidati i LDK’së për komunën e Obiliqit, që deri më së largu të martën duhet të regjistrohet në KQZ, nuk ka telashe me autoritetet e sigurisë vetëm për shtrimin e rrugës së lartë cekur, lënde e cila tashmë ndodhet në Gjykatë të Apelit.

Ndaj Mehmet Krasniqit dhe administratës së tij, gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Obiliqit, në nëntor të 2016, Drejtoria për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës kishte nisur tjera hetime për asfaltimin e dy rrugëve në komunën e Obiliqit, si dhe ndërtimin e projektit të kanalizimeve të disa fshatrave përreth.

Gazeta Express ka siguruar shkresën e Policisë,  e cila ka kërkuar sigurimin e dosjeve të dhënies së këtyre tenderëve, ndaj të cilëve kishte nisur hetimet.

“Kërkojmë të siguroni dosjet e tenderëve që kanë të bëjnë me asfaltimin e rrugëve në Komunën e Obliqit, konkretisht rruga Palaj-Sibovc  dhe Lajthishtë-Hambidi, si dhe dosjet lidhur me projektet e kanalizimit për fshtarat Magfit, Plemetin, Lajthishtë, Krushevc dhe Babimovc, si dhe të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë lidhur me këto projekte”, thuhet në dokumentin e policisë të siguruar nga Gazeta Express.

Projektet në fjalë ishin kryer gjatë periudhës 2009-2013, kur Krasniqi drejtonte Obiliqin në dy mandate rresht.

“Kryetari Krasniqi, i plotëson të gjitha kushtet politike, profesionale, morale dhe së fundit e dëshmoj pastërtin e tij ligjore si kandidatë i denjë i LDK-së”, thuhet në një njoftim të degës së LDK’së në Obiliq, ku njoftohet zyrtarizimi i kandidimit të ish-kryetarit për marrjen e një mandati të ri të kësaj komune.