Kandidati i AAK-së në Pejë: Kryeministri ka dhënë leje për rrugën e Peklenës

Kandidati i AAK-së në Pejë: Kryeministri ka dhënë leje për rrugën e Peklenës

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Fatmir Gashi ka thënë sot se ka marrë një lajm të mirë nga kryeministri Ramush Haradinaj për dhënien e lejës për nisjen e ndërtimit të rrugës në fshatin Peklenë të Pejës.

Këtë lajm, që Gashi ka thënë se e ka të konfirmuar nga kryeministri Haradinaj, e ka përdorur për të kritikuar qeverisjen e tanishme të LDK-së në Komunën e Pejës.

“Pas angazhimit dhe insistimit intensiv të këtyre ditëve, sapo më është konfirmuar nga Kryeministria se para pak orësh është mbyllur problematika e krijuar nga neglizhenca e Qeverisë së shkuar dhe e komunës së Pejës, për Rrugën e Peklenës”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Gashi i ka kërkuar qeverisjes së LDK-së në Pejë që të vazhdojë punën për ndërtimin e rrugës në Peklenë.

“Arsyetime më nuk ka. Vazhdoni punën, Respektoni komunitetin dhe marrëveshjen me ta. Kryeministri Haradinaj hap rrugë e nuk mbyllë. Kryeministri Haradinaj ndërton ura e nuk ndanë qytete”, ka shkruar Gashi.

“Falënderojë të gjithë banorët e asaj pjese për mbështetjen, insistimin dhe vendosmërinë për ta çuar të vërtetën deri në fund”, ka thënë ai. /Insajderi.com