“Kandidatët kosovar” për ministër të Jashtëm të Shqipërisë refuzojnë postin

“Kandidatët kosovar” për ministër të Jashtëm të Shqipërisë refuzojnë postin

Fitorja e thellë në zgjedhjet e 25 qershorit duket se i ka dhënë Edi Ramës një hapësirë edhe për të bërë eksperimente politike. Gazeta Tema, media e afërt me të,ka lansuar lajmin se pozitën e Ministrit të Jashtëm do t’ia ndajë dikujt nga Kosova.

Fitorja bindëse do t’i jap Ramës gjithë komoditetin që ai, përveçse të krijojë vetë qeverinë, të mendoj edhe emra për të udhëhequr dikasterët e të cilët, së paku në mënyrë mediatike, thuhet se mund  të jenë edhe nga Kosova. Baton Haxhiu, Veton Surroi, Vlora Çitaku dhe Mimoza Kusari, ishin emrat e publikuar nga Gazeta Tema, si kandidatë për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Nisur nga gazetari Baton Haxhiu; ai është miku i afërt i Ramës, që e shoqëroi atë gjatë gjithë fushatës, në zgjedhjet që Rama i fitoi.

Haxhiu, për Gazetën Express, ka thënë se emri i tij – tani për tani, – mbetet vetëm në kornizat e të përfolurës.

“Mund të jetë dëshirë e ndokujt, por unë nuk mund të them asgjë, momentalisht”, thotë Haxhiu.

Drejtori i Klanit, duke mos e përjashtuar krejtësisht këtë ide, megjithatë thotë se Ministria e Punëve të Jashtme nuk është e duhura për një shqiptar të Kosovës. Rama, sipas Haxhiut, duhet të rezervojë ndonjë sferë tjetër për ta.

Gjithmonë i përfshirë në politikë, edhe pse jo politikan, Haxhiu thotë se nuk do të pranonte kurrfarë pozite qeveritare, sepse është i kënaqur në profesionin e gazetarit.

“Pa marrë parasysh që përflitem, unë nuk e dëshiroj atë pozitë. Gazetaria më pëlqen më shumë se gjithçka tjetër”, tha ai për Express.

Mimoza Kusari, Kryetarja e Gjakovës , e zgjedhur tash së fundmi edhe deputete në kuadër të LDK’së, është emri tjetër i përmendur.

Edi Rama, sikur për Haxhiun, edhe për Kusarin, vazhdimisht ka treguar një simpati. Ajo ditë më parë bëri të ditur se do të largohet nga pozita e kryetares së Gjakovës, pasi që është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës. E për mundësinë e përfshirjes në Qeverinë Rama, Kusari u përgjigj për Expressin.

“Jo, vetëm lajm mediatik, asgjë të vërtetë në të nuk ka”, ka thënë kryetarja e Gjakovës, e pyetur nëse deri më tani i është propozuar zyrtarisht për pozitën e kryediplomates.

Ndërsa, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Citaku, e cila përfaqësoi vendin edhe në OKB, duket si tjetra favorite për të udhëhequr diplomacinë shqiptare.  Megjithatë, Çitaku ka mohuar të ketë marrë ndonjë ofertë nga Shqiperia për t’u bërë pjesë qeverisë së saj.

“Ka qenë lajm i prodhuar nga mediat, sigurisht pa qëllime dashakeqëse. Po nuk ështe e vertetë”, ka thënë ambasadorja për Expressin.

E kryeministri Rama ka konfirmuar se për qeverinë, gjithçka do të vendoset në shtator dhe deri atëherë askush, përveç tij, nuk ka pse të humb kohë me këtë çështje.